TIRANË - Prej një muaji ekspertë të Partisë Demokratike, asaj Socialiste, EURALIUS-it mblidhen në Ambasadën Amerikane për të negociuar detaje të reja të draftit për reformën në drejtësi. Ky fakt bëhet nga burime brenda PD-së të cilët thanë se nga këto diskutime deri më tani ka përfunduar vetëm pjesa për Gjykatën Kushtetuese, ndaj puna më e madhe duhet bërë akoma.

Për të negociuar mbi atë që duhet të hartohet ende në kuadër të reformës në drejtësi por dhe konkluzionet që Komisioni i Venezias dha për draftin që pala shqiptare paraqiti në Strasburg në 18 dhjetor, ekspertë të këtij Komisioni do të vijnë në janar në Tiranë.

Konkluzionet e Venezias mbi draftin e reformës në drejtësi që është hartuar deri më tani u miratuan në datë 21 dhjetor.
 
Sipas raportit të publikuar në faqen online të komisionit rekomandohet që “ndryshimet kushtetuese sidomos mbi procesin e verifikimit duhet të caktojnë vetëm parimet më të rëndësishme, duke i lënë detajet për legjislacionin zbatues. duhet të sqarohet kush vendos mbi masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të gjykatës kushtetuese".

Një tjetër pikë është dhe ajo mbi kompetencat e ministrit të Drejtësisë. "Roli i ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duhet të rishikohet, në mënyrë që të shmangë konfliktin e mundshëm të interesit. Rregullimet duhet të rishqyrtohen për të hequr konfliktin e mundshëm të interesit. ministri nuk duhet të ketë karrige në gjykatën disiplinore", - thekson raporti.

"Kushtetuta duhet të qartësojë marrëdhënien ndërmjet Strukturës së prokurorëve specialë Antikorrupsion dhe Prokurorisë së Përgjithshme", - thuhet në raport sipas të cilit duhet të vendoset një mekanizëm kundër bllokimit për zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm.

Redaksia Online
Gre.M/Shqiptarja.com