TIRANË - Kreu i Komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj thotë se me rikthimin në tryezën e diskutimeve të ekspertëve të opozitës, puna për draftin e përbashkët për këtë proces do të nisë aty ku është ndërprerë, dhe jo nga fillimi. Më tej, projekti final konsensual i cili pritet të jetë gati brenda 12 janarit, do t'i kalojë sërish Komisionit të Venezias për të marrë opinonin përfundimtar të tyre. 

...
Reforma në drejtësi nuk është e lehtë për tu realizuar, por shpresat për një produkt të dakordësuar në nivel ekspertësh e më tej politik, janë të mëdha.  I këtij mendimi është kryetari i Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Në një mesazh falenderimi drejtuar mediave për pasqyrimin e procesit të reformimit në sistemin e drejtësisë, Xhafaj thotë se puna e ekspertëve nuk do të nisë nga zero, por aty ku puna kishte mbetur deri në bojkotin e opozitës më 6 janar, që mori fund dje me ndërmjetësimin e kryediplomatëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin. 

"U shqyrtuan bashkërisht 22 nenet e para të projektit dhe u reflektuan disa sugjerime konkrete të bëra nga  ekspertët e opozitës dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë. Procesi ka filluar atje  ku është ndërprerë duke rënë dakord që vazhdimi i tij të mbështetet  tek rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe duke u fokusuar  veçanërisht te çështjet për të cilat ka këndvështrime e pozicione  ligjore të ndryshme. Krahas punës për përfundimin e projektit  kushtetues, ekspertët po vazhdojnë në mënyrë intensive procesin për hartimin dhe konsultimin e një sërë projektligjesh të cilat janë të  rëndësishme për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese dhe  riorganizimin e mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, me synimin  që menjëherë me miratimin e ndryshimeve kushtetuese të fillojë procesi  i zbatimit të tyre dhe funksionimi normal i sistemit në të gjitha  hallkat e tij. Pranë grupeve të ekspertëve, për çdo projektligj janë  ngritur grupe think-tank, me përbërje gjyqtarë, prokurorë, avokatë,  noterë, pedagogë të së drejtës etj për të kontribuar në konsultimin  dhe përmirësimin projekteve me zgjidhje sa më të mira bazuar edhe  në përvojën pozitive të sistemit", - shprehet Xhafaj.

Ai thotë se pas hartimit të draftit të përbashkët final, si do t'i dërgohet sërish Komisionit të Venezias, dhe pas "bekimit" nga ky institucion i pavarur do të kalojë për miratim në komisionin për reformën në drejtësi. 
 
"Jemi të ndërgjegjshëm se ky proces nuk është i lehtë për tu realizuar,  por shpresojmë që të ecë normalisht dhe të kemi një produkt të  dakordësuar në nivel ekspertësh për t'i hapur rrugë pastaj procesit të vendimmarrjes politike të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, brenda  datës 12 janar, mbështetur në produktin e ekspertizës vendase dhe  ndërkombëtare. Pasi të shqyrtohet dhe miratohet në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, projekti kushtetues do t’i dërgohet Komisionit të Venecias për tu vënë  në dispozicion të reporterëve që do të vizitojnë së afërmi Tiranën, në pritje të opinionit final të tyre mbi reflektimet e bëra dhe zgjidhjet e dhëna. Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet i angazhuar për të përmbushur me sukses sfidën e reformimit të sistemit të drejtësisë, përmes një procesi sa më gjithëpërfshirës e transparent, konsultimit  publik me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, profesionistët e  fushës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit", - thotë Xhafaj.

Xhafaj e sheh pozitiv faktin që të gjitha forcat politike, por edhe vetë institucionet e sistemit të drejtësisë, vlerësuan rekomandimet e Komisionit të Venezias të cilat janë pranuar si korniza ku do të orientohet debati rreth projektit kushtetues të paraqitur nga ekspertët.  

Ai thotë se reforma në drejtësi do të nxisë gjyqtarët, prokurorët, avokatët e noterët të bëjnë punë të ndershme . Reforma - thekson Xhafaj  - ka si qëllim parësor të saj ngritjen  e institucioneve të qëndrueshme, të pavarura, të ndershme dhe eficente të sistemit që garantojnë interesat e qytetarëve dhe respektimin e  zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe pa diskriminim.

Xhafaj bën edhe një përmbledhje të punës së bërë deri në gjetjen e konsensusit për reformën në drejtësi.

"Në përputhje me mandatin e dhënë nga  Komisioni i Posaçëm Parlamentar, Ekspertët e Nivelit të Lartë (vendas  dhe ndërkombëtarë) pranë këtij komisioni, në një proces pune intensiv  gjatë fundit të muajit dhjetor, përfunduan rishikimin e projektit  kushtetues, të hartuar prej tyre, mbështetur në rekomandimet e  Opinionit Paraprak të Komisionit si dhe në reflektimet përkatëse të  dala nga konsultimi publik i zhvilluar gjatë muajit nëntor me grupet e  interesit dhe komunitetin e profesionistëve ne vend. Projekti i rishikuar, më datë 29 dhjetor i’u është dhënë për njohje  edhe ekspertëve të grupeve politike parlamentare dhe atyre të  institucioneve të sistemit të drejtësisë. Kjo edhe me qëllimin për të ndihmuar hapat e mëtejshme të procesit konsultues dhe debatit  përkatës, për ta bërë atë sa më konkret dhe sa më efiçent. Më datë 4 janar filloi diskutimi me ekspertë të grupeve politike  parlamentare, kryesisht atyre të opozitës, për të vlerësuar mundësinë edhe të reflektimit të opinioneve të tyre dhe me synimin e hartimit të  një dokumenti sa më konsensual. Procesi fillimisht eci mirë në dy  ditët e para të tij. U shqyrtuan bashkërisht 22 nenet e para të  projektit dhe u reflektuan disa sugjerime konkrete të bëra nga  ekspertët e opozitës dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë. Më datë 6  janar procesi u ndërpre, për shkak të largimit të ekspertëve të  opozitës nga tryeza e punës. Në përgjigje të ftesës publike të bërë nga Kryetari i Kuvendit dje  paradite dhe me negocimin e Ambasadores së BE znj.Romana Vlahutin dhe  Ambasadorit të SHBA, z.Doland Lu po dje pasdite, ekspertët e opozitës  vendosën të rikthehen në tryezën e punës", - shprehet Xhafaj.

PDF - Te gjitha dokumentet per reformen ne drejtesi


Deklarate perShtyp.Tryezat Konsultative


Amendamentet kushtetuese.Projekti final (AL)


Procesi i konsultimit. Te dhena statistikore-2015


Opinioni i Ndermjetem