TIRANË- Drejtoresha e gjimnazit ‘Qemal Stafa’, Klotilda Jaupi dhe mësuesja e anglishtes Valentina Lamaj dyshohet se fshihen pas skemës së mashtrimit me bursa studimi për SHBA. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se drejtoresha Jaupi dhe mësuesja e anglishtes Lamaj janë vënë në hetim në gjendje të lirë pas zbulimit të skemës nga Policia Kriminale.

Të dyja dyshohet se janë të përfshira në një skemë mashtrimi me projektin  amerikan “Let’s Talk Together About US24”, i cili pretendohej të ishte ngritur në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ambasadën Amerikane në Shqipëri.

Përmes kësaj skeme, dyshohet se falsifikoheshin dokumente për ofrimin e bursave për të studiuar në universitetet e SHBA-së.

Ishte Ambasada Amerikane në Tiranë që dha alarmin për këtë skemë, ku përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se ky projekt është një skemë mashtrimi dhe nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA.