Drejtshkrimi, Kolec Topalli:
Nuk preket Standardi

Drejtshkrimi, Kolec Topalli:<br />Nuk preket Standardi
TIRANE - Burimet brenda Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëjnë të ditur për Shqiptarja.com se në mesin e muajit mars një grup pune i ngritur për Drejtshkrimin do të vendosë për ndryshimet në normat e caktuara në Kongresin e 72-shit.

Grupi i punës sipas këtyre burimeve do të paraqesë materialet me tezat që do të paraqiten për diskutim, të cilat do të vendosin për ndryshimet e ardhshme të disa rregullave të Drejtshkrimit të 72-shit. Disa prej gjuhëtarëve shprehen për gazetën se këto do të bëhen me mirëkuptim, ndërsa të tjerë janë shprehur se nuk janë dakord për ndryshimet të mëdha, ku sipas llogarive të tyre i bie të ndryshojnë rreth 2000 fjalë në Drejtshkrimin e Shqipes.

Grupi i Drejtshkrimit drejtohet nga Enver Hysa dhe Besim Bokshi, që përfaqëson Akademinë e Kosovës, ndërkohë që kanë nisur sërish debatet dhe polemikat mes anëtarëve të këtij grupi. Këto ndryshime tashmë do të shtrohem në tavolinë për t’u përshtatur edhe me ligj më vonë.

Ndryshimet do të vijojnë të diskutohen pas atyre diskutimeve të forta dhe punës së papërfunduar në sesionin e muajit qershor 2012 nga Këshilli Akademik i ngritur për drejtshkrimin. Ndryshimet në Drejtshkrim ngjallën debate të mëdha në media, të sjella me intervista nga vetë gjuhëtarët njohur si Rami Memushaj, Mehmet Çeliku, Emil Lafe, Gjovalin Shkurtaj, Kolec Topalli, etj.

Ndryshe nga një pjesë e gjuhëtarëve që pohojnë se po transformohet norma gjuhësore, duke ndryshuar rreth 2000 fjalë në Drejtshkrimin e 72-isht, Akademiku  Kolec Topalli, (në foto) i pyetur dje nga “Shqiptarja.com” shprehet se nuk ka rëndësi sesa fjalë janë parashikuar, por disa ndryshime “janë parashikuar në vetë Kongresin e Drejtshkrimit” të 72-shit. Ndërkohë akademik Kolec Topalli rrëfen edhe tezat kryesore që do të parashtrojë ai vetë në këtë grup pune.
 
Zoti Topalli, problemet e shumë debatuara për gjuhën dalin në fokus sërish në muajin mars, ku do të mblidhet një grup pune për ndryshimet në Drejtshkrim. Për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë?
Janë disa ndryshime të cilat janë parashikuar në vetë Kongresin e Drejtshkrimit, sepse me kalimin e kohës natyrisht gjuha vjen dhe zhvillohet, Standardi vjen dhe përmirësohet, përdorimi njëkohësisht nxjerr problemet e veta.

Domethënë, në atë kohë nuk ka qenë e mundur që të parashikoheshin të gjitha ato rregulla, të gjitha normat dhe kongresi ka lënë disa dukuri me dy zgjidhje, sidomos tek shumësi i emrave, ku vetë koha do të tregonte se cila ishte më e përdorshme për t’u pranuar në formën e Standardit.

Prandaj të gjitha këto probleme që rrjedhin nga vetë koha, nga vetë zhvillimi i gjuhës nga vetë edhe veprimet si të thuash edhe të përuljeve të reja që vijnë edhe nga gjuhët e huaja apo edhe nga dialektet, të gjitha këto do të diskutohen për zgjedhjet më të mira, më të përshtatshme, pa ndryshuar thelbin e standardit, pa ndryshuar themelin e tij, por vetëm me qëllim përmirësimin e tij, përmirësimin e rregullave, shmangen e përsiatjeve me qëllim që standardi bazë, të jetë, jo vetëm më i zhdërvjelltë në të përdorur, por njëkohësisht të jetë edhe më i lehtë në përdorimin e tij.
 
Është thënë se ndryshimet do të arrijnë deri në 2000 fjalë, është e vërtetë kjo?
Dëgjo! Nuk mund të numërohen se sa fjalë ndryshojnë, bëhet fjalë për përdorimin e disa rregullave. Këtu nuk janë as 20, në këtë vështrim që aty janë disa rregulla të cilat po studiohen që ato të jenë më normative, që të jenë me sa më pak përjashtime.
 
Po rregullat themelore të shumësit, gjuhëtarët shprehen se aty ka probleme?
Po. Shumësi ka shumë probleme për këtë është ngritur një komision i veçantë që po merret me problemet gramatikore, problemet e morfologjisë në të cilët patjetër që problemi i shumësit është ai më kryesori, për dy arsye: I pari se gjuha shqipe karakterizohet nga një larmi e madhe e shumësit të fjalëve se në disa krahina të ndryshme kemi disa forma shumësi, njëra mund të jetë shumësi me “a”, shumësi me “i”, shumësi me “ë”, etj.

Pra shpeshherë ndodh që këto te këto grumbullohet tek e njëjta fjalë, atëherë duhet përzgjedhur njëra. Në atë kohë vetë Kongresi i Drejtshkrimit nuk ka mundur t’i përcaktojë me saktësi, sepse kjo kërkon edhe studime të veçanta se cila formë është edhe normative.

Pasi kanë kaluar si të thuash 50 vjet që nga ajo kohë, domethënë 40 vjet ka mundësi që të bëhet një përzgjedhje më e qartë, një zgjedhje normative për këto forma të ndryshme që të shmanget një formë e panevojshme.
 
Ju thatë se do të ngrihet një komision i veçantë, mund të na i thoni emrat e anëtarëve?
E di që për komisionin e gramatikës drejtuesit e grupit janë Enver Hysa, Besim Bokshi nga ana e akademisë së Kosovës, anëtarët e tjerë nuk i mbaj mend. 
 
Ka një përplasje me legjislacionin në fuqi. Së paku, kështu pretendojnë një pjesë e gjuhëtareve. Do ketë një ligj të ri që të pranoj ndryshimet tuaja? 
Nuk ka fare përplasje me legjislacionin. Akademia që ka ngritur këtë këshill akademik po bën studimet e tyre. Kjo nuk do të thotë që menjëherë që kalojmë në diskutim të kalojnë në përdorim.

Kjo, sepse ashtu sikurse standardi i sotëm u krijua me një kongres të veçantë, ndryshimet që po studiohen prej akademikëve, pedagogëve gjuhëtarëve etj, vijnë si ndryshime të domosdoshme të nevojshme që sjellin përmirësime të Standardit. Më vonë do të ndërhyhet pranë shtetit që të ndihmojnë këto të legjitimohen nëpërmjet shtetit, nëpërmjet shteteve, sepse do të merren parasysh edhe shqiptarët jashtë kufijve.
 
Ju personalisht, çfarë ndryshimesh propozoni?
Teza ime, mendimi është ky që të shmangen me sa është e mundur përjashtimet nga rregullat, në mënyrë që rregullat të jenë sa më normative, sepse jemi pikërisht në këtë vështirësi. Si të themi, se studentët na pyesin pse ka përjashtime. Gjëja më e mirë është t’u afrohemi rregullave të caktuara që t’u shmangemi përjashtimeve. Dhe aty ku është e mundur, pa prishur edhe sistemin e gjuhës, të afrohet shkrimi me shqiptimin.
 
 
Është krijuar një opinion që në ndryshimet e gjuhës ka edhe një prapavijë politike. Ky opinion përforcohet edhe nga ekzigjenca gjuhësore e shprehur në dialektin gegë të dy figurave kryesore të mazhorancës, kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli. A ndikon kjo realisht?
E para mendoj se nuk është opinion i përgjithshëm. Mund të jetë opinion i ndonjë individi. Nuk asnjë lidhje me aspektin politik ky ndryshim. Gjuha është e të gjithëve. Edhe kur është krijuar standardi i sotëm, ka marrë shumë elemente nga gegërishtja, ndaj ne nuk përpiqemi të ndryshojmë standardin, nesër qeveritë mund të ndërrojnë.

Politika s’ka lidhje fare me këtë. Të jeni i bindur se kjo punë ka nisur kur ka qenë PS-ja në mazhorancë në 2002-shin dhe nuk ka asnjë lidhje me  politikën. Nesër nëse ndryshohet pushteti në qershor, ne prapë do ta vazhdojmë këtë punë. Qeveritë janë të përkohshme, kurse gjuha është e përhershme, Nuk bëjmë ndryshime sipas një vije të caktuar, por ka vetëm një vijë që është vija kombëtare.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.02.2013

Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve