Dren Abazi rrëfen në "Fundjava":
Lumturia? I kënaqur me atë që je

Dren Abazi rrëfen në Lumturia? I kënaqur me atë që je">
TIRANE- Lakonik, i thjeshtë dhe korrekt janë përcaktimet që mund t’i vendosësh një këngëtari si Dren Abazi. I gjendur me aktiviteteve të njëpasnjëshme, udhëtime tej e këtej kufirit, këngëtari nuk heziton të ndajë pak kohë me lexuesit e Fundjavës. Një mbresë për sezonin e koncerteve të verës ku kënga dhe pushimet kanë ecur tok, sa në skena të vogla aq edhe të mëdha, sa në mbrëmje aq edhe në orë të lira në bregdetin e Jonit, gjithnjë mes njerëzve, të njohur e të panjohur. Dhe jo pak projekte të reja, njëri syresh në një skenë pariziane muajin e ardhshëm, në krah të Elina Dunit në një dedikim special kushtuar këngëtares së famshme Nexhmije Pagarusha. Dhe disa pyetje për lumturinë, familjen, fundjavën, udhëtimet dhe kuzhinën,  sa për të krijuar një ide më të plotë rreth djalit që tashmë ka bërë për vete publikun.
 
Vera nuk është një kohë pushimesh për këngëtarët. Si u mbyll kjo verë për ju? U plotësuan pritshmëritë tuaja?

Kjo verë, për mua personalisht ishte vera më e bukur që kisha përjetuar prej vitesh...Normalisht që jam i kenaqur edhe me mënyrën sesi kanë vajtur koncertet. Më pëlqeu fakti që këtë verë pjesën më të madhe të kohës e kalova në jug. Duke qenë një fans i madh i bregdetit shqiptar, angazhimi me koncertet në këtë pjesë ka qenë mëse i mirëseardhur.

 Koncertet në breg të detit ju kanë lënë kohë për të pushuar dhe shijuar natyrën?
Kjo pikërisht është gjëja që më pëlqen shumë. Ditët e pushimit në mes të koncerteve. Rastis shpesh që të kem disa netë rradhazi koncerte në vende të ndryshme, dhe pastaj ato 3- 4 ditet e pushimit në mes janë shumë të këndshme, aq më tepër kur ke fatin të qëllosh në jug.

Këngët live në skena të vogla pub-esh apo club-esh cfarë janë për ju?
Duke pasur një bend goxha të madh që më ndjek pas në koncertet live, domosdoshmërisht preferoj klubet më të mëdha... por, edhe vendet e vogla dinë të jenë të ngrohta kur janë aq intime...në këto vende edhe kontakti me publikun është shumë më i afërt dhe qasja ndaj tij është shumë më ndryshe.

Është botuar diku një foto me kryeministrin Edi Rama. Është fans I juaj? Po ju çfarë mendoni për të?
Po, e kam parë. Eshtë foto që është bërë në një event privat që Edi e ka organizuar kohë më parë. Unë kam qenë i ftuar për të dhënë një koncert dhe normalisht na kanë fotografuar. Nuk e di nëse është fans imi, ....Edin e çmoj shumë personalisht; një njeri i jashtëzakonshëm, artist dhe shumë i guximshëm.

Cilët janë fansat tuaj më të mëdhenj, (të njohur e të panjohur)
Nëse flasim për moshën, mendoj që jam me fat të kem një publik nga të gjitha moshat...të rinj dhe pleq...Më kanë thënë që kam shumë fansa fëmijë... Kjo më gëzon pamasë, sepse fëmijët gjithmonë dinë çka është mirë...(qesh)

 Kur intervistohet një muzikant një nga pyetjet e pashmangshme është për një album apo këngë te re. Ka një përgjigje këtë herë për këtë pyetje?
Unë momentalisht jam i kyçur në disa projekte njëkohësisht... Normalisht që po punoj edhe për këngë të reja, të cilat mbase do i publikoj në ndonjërin nga festivalet që kemi...por një ndër prioritetet momentale është puna në një film artistik të metrazhit të gjatë, një projekt mjaft serioz, film për të cilin po shkruaj muzikën...

Muajin e ardhshëm ju keni një koncert në Paris kushtuar Nexhmije Pagarushes. Do të jeni në krah të Elina Dunit… Duke iu referuar përvojës dhe preferencës tuaj për etnoxhaz, krijohet përshtypja se keni gjetur një “partnere” artistike mjaft të mirë…

Po, është hera e parë që po prezantohem para publikut francez.... Zakonisht koncertet që neve bëjmë jashtë,i adresohen publikut shqiptar që jeton jashtë vendit, por në këtë rast idea është prezantimi para një publiku që nuk më njeh. Kjo domosdoshmërisht kërkon përgjegjësi edhe më të madhe... Elina është një person që unë e respektoj shumë,jo vetëm si muzikante....Edhe me shijet që kemi në muzike jemi shumë afër dhe kjo normalisht e bën punën shumë më të lehtë, andaj jam shumë i lumtur për këtë bashkëpunim.

 Çfarë do të jetë konkretisht ky koncert? Çfarë repertori do të ketë dhe a ka mundësi të ketë një koncert edhe në skenë shqiptare?
Idea primare e këtij koncerti është nderimi në njëfarë mënyre i personalitetit dhe veprës së këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha..... Në repertor do të ketë disa këngë të Nexhmije Pagarushës, të interpretuara nga Elina, dhe pastaj unë bashkë me bendin tim Zig zag Orchestra, do të japim një koncert mbi një orë për publikun e atjeshëm. Mbase, mund të ndodhë që ky koncert të jepet edhe këtu...Pse jo? Me kënaqësi.

Më kujtohet një varg në këngën “Natën” .. Natën të gjithë ndryshojmë… Keni ndërruar mendim, apo është thjesht një varg kënge?
Gjithçka në jetë është relative....edhe ky varg....Por,shumë herë ndodh të jetë e vërtetë. Njerëzit natën ndryshojnë, për të mirë ose për të keq.

 Hija e babait në të shkuarën dhe sot …. Si janë raportet tuaja atë e bir në jetë dhe në art?
Babai mbetet personi që më rri pas gjithë punës që unë bëj në muzikë. Një shok i ngushtë dhe një këshillues i pazëvendësueshëm.

Angazhimet tuaja ju mbajnë larg familjes. E ndjeni mungesen e tyre apo tashme jeni mesuar me largësite?
Mungesën e ndjej gjithmonë. Por unë besoj shumë në faktin që njerëzit që i do është mirë t’i shohësh rrallë ndonjëherë....Kështu do t’i duash më shumë...
Në një raport për lumturinë Shqipëria konsiderohet pak më e lumtur se një vit më parë, ndërsa Kosova mbetet gati 20 vende pas shtetit amë. Cila do të ishte një renditje “lumturie” sipas jush? Cfarë është lumturia për ju?
Nuk di çfarë të them për këto sondazhe...Normalisht s'është diçka për të ardhur mirë.... Të jesh i lumtur do të thotë të jesh i kënaqur me atë që je dhe të jesh i mjaftueshëm me atë që ke....një shpjegim i thjeshtë, por besoj i qartë...

Lidhja juaj me ushqimin… është vetëm të hash për të jetuar apo të jetosh për të ngrënë? Kaloni në ndonjëherë në anën tjetër të kuzhinës, për të gatuar një recetë të preferuar?
Unë, fatmirësisht apo fatkeqësisht jam shumë i dhënë pas ushqimit....shumë herë jetoj për të ngrënë...do ishte mirë të ishte e kundërta.....Gatuaj shumë dhe gatuaj mirë ...kështu të paktën më kanë gënjyer ...

Ju pëlqejnë udhëtimet? Cfarë nuk harroni të vini në valixhe?
Unë udhëtoj shumë shpesh...edhe kur jam i lodhur, edhe kur kam nevojë për pushim....S’ kam zgjidhje...është mënyra e punës.... Në valixhe???? Cfarë nuk harroj? Gjithmone harroj diçka në fakt.
Fundjava ideale sipas jush si duhet të jetë?
Fundjava ideale? Një pushim diku më shumë pak njerëz....Pa telefon, pa celular, pa facebook, pa internet.......

Intervista u publikua sot ne suplementin FUNDJAVA te Shqiptarja.com

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja