Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka deklaruar disa ditë më parë se është në proces akreditimi të procedurave të reja dhe në pritje të përmbylljes së marrëveshjes së financimit me Komisionin Europian për programin IPARD III.

Ndërkohë Komisioni Europian i është përgjigjur interesit të Report TV për këtë çështje, ku në një reagim për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori, nuk ka dhënë një afat për hapjen e fondeve IPARD, ndryshe nga disa pretendime që cilësonin muajin shtator si muajin për çeljen e këtyre fondeve.

Po ashtu, në reagimin e tij, Komisioni Europian ndryshe nga Ministria e Bujqësisë në Shqipëri, pretendon se ende nuk mund të jepet një autorizim për fondet IPARD III. Kjo pasi sipas Komisionit Europian, autoritetet shqiptare duhet të kërkojnë që t’u besohet menaxhimi i këtyre fondeve, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe dhe procedurat përkatëse. Por kjo kërkesë sipas Komisionit Europian, ende nuk është bërë nga autoritetet shqiptare dhe rrjedhimisht nuk ka një datë apo afat për dhënien e autorizimit për çeljen e fondeve IPARD III.

“Është në zhvillim një procedurë dypalëshe midis Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare për të siguruar që masat e duhura korrigjuese të vendosen nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur.

Para nisjes së IPARD III, autoritetet shqiptare duhet të kërkojnë që t’u besohet menaxhimi i fondeve të IPARD III në përputhje me marrëveshjet dypalëshe dhe procedurat përkatëse. Meqenëse Komisioni Evropian nuk ka marrë një kërkesë të tillë për momentin, nuk është e mundur të thuhet se kur mund të jepet ky autorizim”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Komisionit Europian.

Po ashtu Komisioni Europian i ka kërkuar autoriteteve shqiptare që ta marrin shumë seriozisht këtë çështje, pasi sipas tyre, bëhet fjalë për mbrojtjen e fondeve të BE-së në Shqipëri.

“Duke qenë se bëhet fjalë për paratë e taksapaguesve të BE-së, ne presim që autoritetet shqiptare ta marrin këtë çështje shumë seriozisht”, thuhet më tej në reagimin e Komisionit Europian.

Kujtojmë se fondet e IPARD u bllokuan para rreth 3 vitesh nga Brukseli pas dyshimeve për abuzime nga zyrtarët e institucioneve shqiptare.

IPARD III ka 9 masa në total dhe vlera e parave që pritet të përfitojnë fermerët shqiptar është 112 milionë euro. Ky program do të mbështesë fusha si infrastruktura rurale, ndërtim tregjesh, për Agro-përpunim apo Agro-turizëm, pylltari, asistencë teknike e këshillim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:44
IPARD III/ Ish-zv.ministri: Mungesa e këtyre fondeve, shkak i regresit në bujqësi! Pilku: Procesi për hyrjen në fuqi zgjat mbi 1 vit! Brukseli u tregua ‘i egër’ me Shqipërinë

 

Komisioni Europian deklaroi sot për Report TV se ende nuk kanë marrë një kërkesë nga autoritetet shqiptare për t'i besuar fondet e IPARD III dhe rrjedhimisht sipas tyre, ende nuk mund të flitet për një afat konkret se kur këto fonde do të hyjnë në fuqi për Shqipërinë.

Lidhur me këtë reagim, Alban Zusi, ish-zv.ministër i Bujqësisë dhe kreu i Shoqatës së Eksportuesve, tha në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV se fondet IPARD janë tejet të rëndësishme për bujqësinë shqiptare dhe sipas tij, duhet të bëhet çdo përpjekje për zhbllokimin e tyre.

Ai tha se edhe progresi apo regresi në bujqësi gjatë viteve të fundit është i lidhur drejtpërdrejtë me praninë apo mungesën e fondeve IPARD.

Zusi shtoi gjithashtu se Fondet IPARD kanë aftësinë për të gjeneruar 3-4 fishin e investimeve, pasi sipas tij, sipërmarrësit pasi i futen kësaj ‘aventure’, motivohen që të investojnë edhe para nga kursimet e tyre.

“Unë kam qenë dhe dua të vazhdoj të jem optimist, pavarësisht këtij lajmi që duhet lexuar dhe parë se çfarë ka pas tij. Shpesh herë unë e di se nga stafet teknike ka edhe problematika në Ministrinë e Bujqësisë. Unë dua të vazhdoj ta besoj derisa të ketë një konfirmim zyrtar nga institucionet publike, nga ministria, se ka diçka e cila mund ta pengojë, pasi nga komunikimet që kemi pasur me Ministrinë e Bujqësisë na është thënë se është duke u punuar intensivisht, për vetë rëndësinë që kanë këto fonde. Janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Unë e kam thënë se duhet parë rrënjët e progresit të Bujqësisë te fondet e IPARD, por them se edhe regresi që ka pësuar bujqësia gjatë 2-3 viteve të fundit lidhet me mungesën e këtyre fondeve të IPARD. Fondet IPARD kanë aftësinë për të gjeneruar 3-4 fishin e investimeve, pasi çdo sipërmarrës serioz që ka investuar me fondet e IPARD, në harkun e 1-2 viteve nëse ka marrë 5 nga IPARD, ai ka investuar 15. Këto fonde janë ekstremisht të rëndësishme”, tha mes të tjerash Zusi.

Nga ana tjetër, eksperti i Bujqësisë, Ilir Pilku hodhi poshtë deklaratat e Ministrisë së Bujqësisë se fondet IPARD III mund të hapeshin brenda muajit shtator.

Pilku duke bërë një përllogaritje të proceseve në të cilat duhet të kalojë rihapja e këtyre fondeve, tha se mund të duhet mbi 1 vit që IPARD III të hyjë në fuqi në Shqipëri.

Ai deklaroi gjithashtu se Brukseli po tregohej ‘më i egër’ me Shqipërinë, pasi sipas Pilkut, abuzime me fondet e BE-së për Bujqësinë ndodhin edhe në Greqi (madje në vlerën 400 milionë euro), por fondi atje rihapet shumë më shpejtë.

“Kemi 2 tablo. Tabloja e parë lidhet me çfarë bëhet me paratë e taksapaguesve europianë. Çfarë masash janë marrë për të kthyer këtë vlerë, atë vlerë që në fund do të negociohej. Pretendimi prej 33 milionë eurosh që Shqipëria duhet t’i kthejë Brukselit, për mua është një vlerë e jashtëzakonshme e lartë. Detyrimi prej 33 milionë eurosh që OLAF pretendon, është një vlerë jashtëzakonisht e lartë. Pra i bie që ne kemi abuzuar me 45% të fondit që ne kemi në dispozicion.

Kjo për mua është jashtë çdo logjike. Unë besoj se AZHBR e ka kryer veprimin e saj juridik. Pra ato subjekte që pretendohet nga 8 ekspertët që kanë ardhur në shkurt 2019 në Shqipëri, i ka zbatuar. Pra të gjithë janë në procese gjyqësore për rikthimin e vlerave. Ndoshta Brukseli është edhe më shumë i egër dhe rigoroz me Shqipërinë, pasi është hera e parë që ne marrim këto fonde. Ne kemi Greqinë që para tre muajsh dhe vazhdon diskutohet akoma 400 milionë euro abuzime, kryesisht në zonën e Kretës që janë marrë nga oligarkë, ndërkohë që pardje është rihapur përsëri fondet e BE-së për Greqinë. Ndërkohë te ne kanë që nga 23 korriku 2023 të mbyllura dhe po ecet me një ecuri që po digjet edhe IPARD III. Kjo sepse BE kërkon paratë mbrapsht.

Tani dalim te pika që a hapet apo nuk hapet në shtator si kanë pretenduar zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë. Është një pretendim me nota optimiste, sepse edhe nëse Brukseli e mbyll çështjen e IPARD II, Shqipëria duhet të nisë procesin e riakreditimit, që merr një kohë të gjatë. Pastaj kur ata janë të sigurt se paratë mund të menaxhohen në mënyrën e duhur, ata japin letrën e mirëbesimit, që të hapet IPARD III. Pastaj pas letrës, duhet të niset me akreditimin e masave të IPARD III. Unë e shikoj një periudhë kohe 1-vjeçare dhe më gjatë”, tha Pilku.