HETIMET
Në qendër të hetimit të prokurorisë, ishin qindra kilogramë drogë që vinin nga Shqipëria në Itali, për t'u dërguar më pas jovetëm në Salento, por edhe në rajone të tjera. Organizata italo-shqiptare e cila e kishte qendrën në Casarano, përdorte për trafik mjetet e transportit të familjes Primiceri, një nga kompanitë kryesore në sektorin e transportit në Itali.
Disponueshmëria nga familja, automjetet e shumta dhe një anije-traget që bënte linjën e transportit Brindi-Vlorës, ishin "komoditetet" e operacioneve organizatës së trafikut të kokainës, marihuanës dhe heroinës. Më pas, lëndët narkotike shpërndaheshin në territorin italian.
Mbajtja në burg është firmosur nga gjykatësi Casciaro Ines, me kërkesën e prokurorëve të Leçes, Cataldi dhe Ëilliam Joseph Capoccia. Sipas provave, në banesën e Luigi Primiceri, në prill të vitit 2009 u gjetën dhe sekuestruan plot 184 kilogramë marijuanë, e cila ishte lënë aty nga dy vlonjatët Erjon Sadikaj dhe Nurçe Kafilai.
PRETENCA
Pas gjykimit për shumë muaj, italianët, bashkëshonëtorë të shqiptarëve në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duket se do të rrinë shumë kohë në burg. Louis, Salvatore, Ezio dhe Osvaldo, përkatësisht 50, 47, 46 dhe 43 vjeç, ka gjasa të rrinë për për 7 vjet në burg, përvec të fundit, i cili mund të vuajë dhe 6 muaj më shumë. Të paktën, kjo është kërkesa e prokurorisë.
GRUPI
Rrjeti i drogës mes djemve të Vlorës dhe klanit të arrestuar tashmë në Itali, Primiceri, është zbardhur dhe dokumentuar nga përgjimet e prokurorisë italiane, të cilat muaj më parë i publikoi ekskluzivisht Shqiptarja.com.
Në mes të shtatorit 2011, karabinierët italianë, prangosën 25 persona, mes të cilëve 8 shqiptarë, nën akuzën e trafikut të hashashit, heroinës dhe kokainës nga Shqipëria në Itali. Drejtues të këtij klani ishin Salvatore, Ezio dhe Osvaldo Primiçeri. Që prej marsit 2008, vëllezërit Primiçeri operonin me kompaninë "Transporti Primiceri Vlora", të krijuar në Shqipëri, dhe që zotëronte tragetin e linjës Vlorë-Brindizi "Veronica Line" dhe biznese në Itali. Pas arrestimit në Leçe të vëllezërve Primiçeri, të akuzuar për drejtimin e organizatës së narko-trafikut, u sekuestruan edhe 7 kompanitë që zotëronin.
"Sipas hetimeve të kryera në Itali, transporti i pasagjerëve ishte mbulesë për trafikimin e drogës, që kalohej nga Vlora për në Itali dhe rrjeti kriminal ka trafikuar rreth 300 kilogramë marijuanë dhe 19 kokainë. Droga fshihej në goma automjetesh që shkonin në Itali dhe hetimet nisën pas kapjes së rreth 300 kilogramë kanabis në disa operacione të ndryshme, kur u prangosën edhe 11 shtetas shqiptarë". Ndër pronat e konfiskuara të vëllezërve Primiçeri, me vlerë 20 milionë euro, mes të cilave trageti "Veronica Line" dhe 79 automjete të llojeve të ndyshme. Sipas policisë italiane, Primiçerët ishin një pikë e rëndësishme trafiku për drogën që kalonte nga Shqipëria drejt Italisë.
Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)