Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të vizitojnë këtë fundjavë Moskën dhe Kievin, në një përpjekje të re diplomatike të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Witkoff dhe Kushner do të takohen të shtunën në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa të dielën pritet të zhvillojnë bisedime në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Donald Trump tha se dy të dërguarit e tij do të kenë me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas mediave amerikane, Uashingtoni u ka kërkuar Moskës dhe Kievit që të pezullojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit gjatë misionit të negociatorëve.

Ndërkohë, vetëm një ditë përpara nisjes së këtij misioni diplomatik, Rusia goditi me dron selinë qendrore të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, SBU, në zemër të Kievit.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se droni kishte në shënjestër drejtpërdrejt zyrën e kreut të shërbimit, Oleksandr Poklad. Pesë persona raportohet se u plagosën, ndërsa nga goditja u dëmtuan edhe ambiente pranë ndërtesës.

Zelensky paralajmëroi se sulmi nuk do të mbetet pa përgjigje dhe tha se ka urdhëruar kreun e SBU-së të përgatisë një kundërpërgjigje “të përshtatshme dhe konkrete”, me mbështetjen e ushtrisë ukrainase.

“E udhëzova Poklad që t'u japë rusëve një përgjigje të përshtatshme dhe të prekshme dhe, kur është e mundur, një që pasqyron këtë sulm, sapo gjithçka të jetë gati. Ushtria jonë do ta mbështesë këtë përgjigje”, tha Zelensky.

Goditja ndaj selisë së SBU-së konsiderohet një rast i rrallë kur Rusia arrin të godasë drejtpërdrejt një ndërtesë të rëndësishme qeveritare në kryeqytetin ukrainas. SBU-ja është një prej strukturave kyçe të sigurisë dhe të përpjekjeve luftarake të Ukrainës.

Sulmi në selinë e inteligjencës ukrainase në Kiev