BE e cilëson prezencën gjithnjë e më të shumtë të dronëve në vendet evropiane si pjesë e luftës hibride ndaj Evropës. Për të parandaluar sulmet e tilla të ngjashme, Unioni po shtrëngon rregullat e vizave për qytetarët rusë. Njoftimi u bë nga Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
"Udhëtimi brenda BE-së është një privilegj, jo një e drejtë e fituar", tha Kallas.
Masat e ashpra kanë të bëjnë me vizat me hyrje të shumëfishta, të cilat qytetarët rusë nuk do të jenë më në gjendje t'i marrin, sipas një deklarate të Komisionit Evropian. Prandaj, qytetarët rusë do të duhet të aplikojnë për një vizë të re sa herë që synojnë të udhëtojnë në BE, një zhvillim që kërkon "shqyrtim të kujdesshëm dhe të shpeshtë të aplikantëve për të zbutur rreziqet e mundshme të sigurisë".
"Qëllimi është të zvogëlohen kërcënimet ndaj rendit publik dhe sigurisë së brendshme, duke ruajtur përjashtime në raste të kufizuara dhe të justifikuara, siç janë për gazetarët e pavarur dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, duke siguruar zbatim uniform midis Shteteve Anëtare dhe duke parandaluar anashkalimin e masës", thuhet më tej në deklaratë.
Vendimi vjen pas miratimit nga të gjitha shtetet anëtare në Komitetin e Vizave. I menjëhershëm ishte reagimi nga Moska. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ironizoi:
"Komisioni Evropian duket se ka arsyetuar: pse duhet që Evropa Perëndimore të ketë turistë të pasur kur ka migrantë të paligjshëm që jetojnë me ndihmë sociale dhe refugjatë ukrainas?"
Komente










