Për Valbonën do të të flasin. Eshtë nga ata njerëz të rrallë që i takon në jetë vetëm gjatë rrugëtimit për t'u përmirësuar. Një mjeshtre si Valbona Lulaj e takon vetëm pasi e ke kërkuar dhe arrin ta vlerësosh, ta dallosh mes të gjithëve që mund të kesh njohur më parë.

Në gjuhën e thjeshtë të të përditshmes është një grua, nënë, vajzë, bashkëshorte që bën masazh, por Valbona është shumë më shumë. Ka lindur me energjinë e duhur për të kuptuar e dalluar trupat e shëndetshëm, por edhe trupat e lodhur, të ndrydhur, ecjet dhe pozicionet e gabuara që ndikojnë në mirëqënien tonë. Ka të trashëguar nga nëna, nga gjyshja e saj, masazhin, hedhjen e kupave, përgatitjen e vajrave me bimë të vecanta të zonës nga vjen.

Me duart e saj, sic mjeshtërit e të gjitha punëve fisnike bëjnë, ka ngritur profesionin që sjell mirëqënie fizike dhe shpirtërore. Nga Valbona, përmes një masazhi që nuk njeh orë, nuk mëson vetëm shlodhjen, por merr filozofinë që përcillet si nektar duar më duar, si thesar traditash e vlerash të një populli në kërkim të një jete më të mirë, të një jete në harmoni me njerëzit, natyrën e Universin.

Valbona Lulaj vjen përditë nga Laci në Tiranë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj; vend pune ka shtëpitë e vajzave, grave, nënave të Tiranës. Janë të moshave e profesioneve nga më të ndryshme, të pasura apo jo, për Valbonën tarifa modeste është e njëjtë. Rrallë qëllon të takosh profesionistë që më parë se të kërkojnë pagesën, duan të jenë të sigurtë se puna e duarve të tyre ishte e vlefshme, e mirë. Dhe si me magji, një vajzë, një nënë, një grua që do të ndjehet më e shlodhur më e lehtë, më mirë, e reflekton mirëqënien e saj dhe shplodhjen në shëndetin e të gjithë familjes, të gjithë pjesëtarëve të vegjël e të mëdhenj që rrotullohen rreth saj.

Si shumë njerëz që punojnë dhe punën  e tyre e kanë pasion, Valbona nuk ka kohë për shumë fjalë, për të folur me gazetarë apo të dalë në televizor. Nuk do të tregojë për klientë VIP, apo për atë që nëpër shtëpitë e Tiranës sheh e dëgjon, tipike e profesionistëve të vërtetë. Sot është e vetëpunësuar dhe mirënjohëse për të gjithë ato vajza, nëna e gra që vlerësojnë dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë mirësinë e duarve, vajrave dhe të këshillave të saj.

Në Shqiptarja.com, në rubrikën tonë shumë të lexuar "Drejt Punës", përmes historive të mjeshtërve të profesioneve të ndryshme, përditë e më shumë kuptojmë se përmes punës dhe pasionit, përmes njerëzve si Valbona Lulaj e shumë të tjerë si ajo, mjedisi, qyteti apo vendi ku jetojmë, bëhet më i mirë për t'u jetuar e gëzuar.