Kylian Mbappe është një nga protagonistët kryesorë të Kupës së Botës 2026. Sulmuesi francez, i cili ishte në qendër të vëmendjes pas një sezoni pa trofe me Real Madridin, e nisi turneun në mënyrën më të mirë të mundshme duke realizuar dy gola në fitoren kundër Senegalit.

Tashmë, Franca përgatitet për përballjen me Irakun, një ndeshje me rëndësi të dyfishtë për Mbappen, pasi do të jetë paraqitja e tij e 100-të me fanellën e kombëtares franceze.

“Është një kënaqësi që kam mundësinë të luaj për kombëtaren. Asgjë nuk është më e rëndësishme se kombëtarja. Njëqind ndeshje është një shifër historike, aq më tepër në një Botëror, por prioritet mbetet ndeshja. Duhet të fitojmë për t’u kualifikuar”, deklaroi sulmuesi 27-vjeçar.

Megjithëse paraqitja e tij ndaj Senegalit mori vlerësime të shumta, vëmendja e botës së futbollit u zhvendos te Lionel Messi, i cili realizoi një tregolësh ndaj Algjerisë dhe barazoi rekordin e Miroslav Kloses si golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve me 16 gola.

“E dija që do të shënonte, sepse bëhet fjalë për Messin. Ai gjithmonë shënon. Gjithmonë jam pas tij. Së bashku me Cristiano Ronaldon, ai është futbollisti më i mirë në botë dhe e ka treguar këtë për më shumë se 15 vjet. Ka cilësi të jashtëzakonshme”, tha francezi.

Megjithatë, sulmuesi theksoi se fokusi i tij mbetet ekskluzivisht te objektivat e Francës.

“Ajo që më intereson është të ndihmoj skuadrën të shkojë sa më larg që të jetë e mundur dhe të fitojë Kupën e Botës”, shtoi ai.

Pavarësisht dygolëshit në ndeshjen hapëse, Mbappe nuk e konsideron misionin e tij të përmbushur.

“Nuk besoj se një dygolësh në ndeshjen e parë të fazës së grupeve është i mjaftueshëm për të treguar të gjithë talentin në një skenë kaq të rëndësishme”, u shpreh ylli francez.

Në fund, ai foli shkurt edhe për të ardhmen e tij, duke preferuar të mos bëjë plane afatgjata.

“Nuk do të jem këtu kur të jem 40 vjeç, do të më kenë larguar shumë më herët. Nuk mendoj shumë për të ardhmen, mendoj vetëm për të tashmen”, përfundoi Mbappe.

Në 99 ndeshje me fanellën e 'Gjelave', Mbappe ka shënuar 58 gola dhe është golashënuesi më i mirë në histori për Francën.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.