Kanye West është shprehur se “do të ishte mirënjohës” të takonte anëtarë të komunitetit hebre në Mbretërinë e Bashkuar pas polemikave mbi angazhimin e tij si artisti kryesor në festivalin Wireless të këtij viti.

Në një deklaratë, reperi, i cili tani njihet si Ye, tha se ka qenë “duke ndjekur diskutimet rreth Wireless dhe dua ta adresoj këtë drejtpërdrejt”.

“Qëllimi im i vetëm është të vij në Londër dhe të prezantoj një shfaqje ndryshimi, duke sjellë unitet, paqe dhe dashuri përmes muzikës sime,” shtoi ai.

Ye ofroi të takohet personalisht me anëtarë të komunitetit “për të dëgjuar”, duke shtuar: “E di që fjalët nuk mjaftojnë, do të duhet të tregoj ndryshim përmes veprimeve të mia. Nëse jeni të hapur, unë jam këtu.”

Reperi ka shkaktuar zemërim për komentet antisemitike dhe pro-naziste gjatë viteve të fundit.

Ai kërkoi falje në një deklaratë të gjatë të publikuar në Wall Street Journal në janar dhe tha se shkak është çrregullimi i bipolaritetit prej të cilit vuan.

Polemika rreth koncertit të tij të planifikuar në korrik ka bërë që sponsorët të tërhiqen nga eventi në Londër dhe ka shkaktuar kritika nga politikanët. Kanye publikoi vitin e kaluar një këngë të titulluar “Heil Hitler” dhe shiti bluza me simbolin e nazistëve.

Të dielën, drejtori i festivalit tha se njerëzit duhet ta falin artistin.

Qeveria britanike po shqyrton nëse 48-vjeçari duhet të lejohet të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar.