Prej kohësh Sali Berisha i ka kthyer në narrativë politike akuzat se mediat e censurojnë opozitën dhe se nuk i japin kohën e mjaftueshme televizive. Por, në fakt shifrat e Autoritetit të Mediave Audiovizive flasin për një realitet komplet tjetër. Një monitorim që AMA bën prej muajsh tashmë, e rendit Partinë Demokratike si forcën politike që dominon hapësirën televizive, bashkë me kryetarin e saj Berishën.
Të dhënat për muajin shkurt e konfirmojnë qartë këtë trend. Sipas monitorimit të Autoriteti i Mediave Audiovizive, Partia Demokratike zë pjesën dërrmuese të kohës televizive me 74.7%. Në vend të dytë renditet Partia Socialiste me 23.85%, një diferencë e thellë prej mbi 50 pikësh përqindje krahasuar me demokratët.
Ndërsa partitë e tjera të vogla kanë një prezencë thuajse simbolike në ekranet kombëtare, Partia e Lirisë me 0.44%, Partia Republikane Shqiptare me 0.37% dhe “Mundësia” me 0.63%. Shifra këto që tregojnë se hapësira mediatike shqiptare dominohet nga dy forcat kryesore politike PD dhe PS, ndonëse dukshëm me një avantazh të theksuar për PD-në.

Sali Berisha nuk mbetet pas as në kohën televizive që u është dhënë aktorëve politikë. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mediave Audiovizive për muajin shkurt, Berisha është aktori politik më i pranishëm në media, me 34.87% të kohës totale. Në vend të dytë renditet kryeministri Edi Rama me 26.58%, rreth 10 pikë përqindje më pak se Berisha.
Ndërkohë, në 10-shen e politikanëve që kanë marrë më shumë hapësirë televizive, përfshihen edhe 5 deputetë socialistë, Arbjan Mazniku me 3.93%, i ndjekur nga Taulant Balla me 3.46%, Elisa Spiropali me 2.39%, Pirro Vengu me 1.84% dhe Erion Braçe me 1.26%. Pas Berishës, dy deputetët që kanë marrë më shumë hapësirë televizive dhe që renditen në 10-shen kryesore janë Luçiano Boçi me 1.7% dhe Gazment Bardhi me 1.62%. Ndërkohë, vetëm 1.61% e kohës televizive ka shkuar për presidentin Bajram Begaj.

Komente











