Duke pritur dramaturgun

Duke pritur dramaturgun
U bë kohë e gjatë që sa herë hapen debatet për gjendjen e teatrit shqiptar, diskutimet për cilësinë dhe problematikën e dramës shqipe janë diskutimet që prodhojnë mosmarrëveshje dhe mendime të kundërta. Po të dëgjosh dramaturgët, ka nga ata që e pranojnë krizën e dramaturgjisë shqiptare ashtu siç ka edhe nga ata që mendojnë se janë duke shkruar kryevepra dhe që fajin e gjejnë te regjisorët që mendjen e kanë vetëm te drama e huaj.

Regjisorët, nga ana tjetër, tekstet e dramaturgjisë shqiptare ose nuk i tërheqin fare ose, akoma edhe më keq, mendojnë se dramaturgët shqiptarë shkruajnë keq dhe se veprat e tyre nuk e kanë fuqinë e duhur për t’u përballuar denjësisht me publikun. Kritika, për hesap të vetë, nuk është as andej dhe as këtej ose është edhe andej edhe këtej duke i dhënë të drejtë sa njërit po aq edhe tjetrit.  Ministria rri e vështron nga prapa perdes duke u mjaftuar me fjalë përshëndetëse dhe mbështetëse. Në këtë situatë të gjithë presim prej kohësh, si personazhet e Samuel Beckett, mbërritjen e dramaturgut.

Estragoni: Duhej të kishte ardhur.
Vladimiri: Nuk tha se do të vinte patjetër.
Estragoni: Po sikur të mos vijë?
Vladimiri: Do të vijmë nesër përsëri.
Estragoni: Ndoshta edhe pasnesër.
Vladimiri: Ndoshta.
Estragoni: E kështu me rradhë.
Vladimiri: Domethënë…
Estragoni: Deri sa të vijë.

Kjo ka qenë panorama e përgjithshme, sa i përket dramës shqipe në teatrin shqiptar deri në momentin kur me ftesë të Teatrit Kombëtar u organizua “Takimi Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë Shqipe”.  Organizimi i takimeve të tilla, ndër vite, do të duhej të kishte qenë diçka rutinë dhe pjesë e zakonshme e punës së institucioneve kulturore apo shkencore. Ndërkaq, në mungesë të një diskutimi formal mbi problemet e teatrit dhe të dramaturgjisë shqipe ka lulëzuar tregu i diskutimeve informale ku ose është folur me superlativa ose kritikat janë konsideruar si sulme personale dhe debati ka prodhuar akoma edhe më shumë konfuzion dhe paqartësi.

Kriza e dramës shqipe nuk mund të kuptohet dhe analizohet e shkëputur nga kriza e përgjithshme e teatrit shqiptar dhe bërja me gisht vetëm drejt dramaturgut apo regjisorit, që nuk pranon të punojë me veprat e autorëve shqiptarë, nuk e orienton debatin drejt zgjidhjes së problemit. Përkundrazi, ky polarizim ka prodhuar situata kur regjisorët ulen të bëjë punën e dramaturgut duke shkruar tekste për teatër apo edhe raste kur dramaturgu ka marrë përsipër regjinë e veprës së tij.

Që problemi të zgjidhet duhet që së pari ai të përcaktohet qartësisht. Si e para nismë, për të organizuar një debat mbi problemet e dramës shqipe, përpjekja mbetet për t’u lavdëruar.  Nëse do gjykonim për produktin e këtij takimi mendimet mund të jenë të ndryshme. Personalisht mendoj se takimi mbeti vetëm në nivelin e shprehjes së shqetësimit dhe vullnetit të mirë të organizatorëve për t’i gjetur zgjidhje problemit por, pa mundur që të prodhojë garanci për zgjidhje të shpejtë të problemit. 

Gati të gjithë kumtuesit e kthyen takimin në një konferencë shkencore  të karakterit teoriko - estetik ku munguan qasjet konkrete ndaj problemeve që ka drama shqipe. Mungesa e një artikulimi të qartë mbi atë që mendohet se është problemi kryesor i dramës shqipe dhe shpërndarja e diskutimeve në problematika dhe tema të ndryshme solli jo vetëm një inflacion temash dhe problemesh, por e bëri debatin disa herë edhe jo serioz. Nga ana tjetër mungesa e një teme dhe problemi kryesor në debat solli si rrjedhojë që zgjidhjet e ofruara, në ditën e dytë të takimit, të mos prodhojnë besim dhe garanci.

Njëra nga zgjidhjet e propozuara dhe të miratuara siç qe krijimi i “Forumit të dramës shqipe” mund të fuqizojë komunikimin midis dramaturgëve këtej dhe andej kufirit shtetëror por, problem i dramës shqipe nuk është krijuar prej mungesës së komunikimit. “Ja, kështu e ka njeriu. Merret me këpucën, kurse fajin ia ka këmba" thotë Vladimiri te “Duke pritur Godonë”. Komunikimi midis krijuesve të skenës ka ekzistuar gjithnjë përmes rrugëve personale dhe informale. Forumi, thjesht, do bëj që ky komunikim të realizohet në rrugë institucionale.  Propozimi i dytë, për të realizuar Festivalin e dramës shqipe, është edhe ky një propozim që nuk e zgjidh problemin. Festivalet janë ballafaqime në të cilat vetëm mund të identifikohen problemet dhe nuk mundet të shërbejnë për t’i zgjidhur ato.

Në një situatë kur deklarohet se mungon drama e mirë shqipe të organizosh një festival të tillë është si të shkosh në në një dasëm ku nuk je i sigurt nëse do të ketë një nuse dhe një dhëndër. Mbetet që propozimi i tretë, krijimi i një laboratori pranë Teatrit Kombëtar, të jetë i vetmi propozim i cili i ofron një zgjidhje problemit. Të pretendosh që autorët, e formuar tashmë sipas një shkolle të tejkaluar, t’i përshtaten rregullave të reja të dramturgjisë modern dhe të presësh nga ata të jenë imazhi i ri i teatrit dhe dramës shqiptare duket si një pretendim që ka sens vetëm për personazhet e teatrit absurd. Zgjidhja është investimi te përgatitja e një brezi të ri dramaturgësh.  Kjo nuk bëhet, detyrimisht, duke kërkuar hapjen e shkollës së dramaturgjisë.

Labratori mund të jetë një shkollë e shpejtë dhe efikase në këtë drejtim nëse ai do të jetë në funksion të zgjidhjes së këtij problemi. Nevojat akute të skenës teatrore zgjidhen duke ndryshuar politikat stimuluese ndaj regjisorëve që guxojnë të punojnë me tekstet shqiptare. Përzgjedhja e një teksti si edhe formimi i grupit të aktorëve janë dy nga momentet më të rëndësishme të punës së regjisorit. Historikisht në teatrin shqiptar kanë qenë regjisorët ata që kanë insistuar në përmirësimin e një teksti skenik.

Janë ata që kanë dramatizuar apo kanë përshtatur vepra duke i bërë ato të kenë sukses. Një prezencë më e madhe e regjisorëve në këtë takim do të kishte sjellë oferta dhe zgjidhje të tjera edhe më interesante, ndaj këtij problemi. Më tej, problemi bëhet i thjeshtë. Nëse secili bën detyrën dhe punën e tij, regjisori bën regjisorin, dramaturgu bën dramaturgun, drejtori bën drejtorin dhe ministri flet si ministër dhe jo si dashamirës i teatrit dhe dramës shqipe, çështja do ketë zgjidhje. Përndryshe edhe ne si Vladimiri te “Duke pritur Godonë” do të pyesim:

Vladimir: Po tani ç’të bëjmë?
Estragoni: Të presim.
Vladimir: Mirë, po ndërkohë që presim?
Estragoni: Po sikur të varnim veten?
Vladimiri: Do ishte një mënyrë për të na u ngrehur.

(Samuel Beckett. Duke pritur Godonë. Çabej. 1996. f 15. Përkthyer nga Mirela Kumbaro)

Shkrimi u publikua sot (20.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan