Durrësi, qyteti që
ka ngelur pa kinema

Durrësi, qyteti që<br />ka ngelur pa kinema
DURRES- Kino “Iliria”, një nga më të vjetrat në qytet 20 vjet më parë iu kthye ish-pronarit dhe mbi truallin e saj, në qendër të qytetit ngrihet një pallat. “Rivalja” e saj e vetme, kino “14 nëntori” tentoi të ringrihej në vitin 2004, kur dy sipërmarrës themeluan në të njëjtën sallë kinema “Colosseum”. Nisma e tyre nuk mbijetoi më shumë se 9 muaj. Të gjendur në darën e taksave dhe mungesës së interesimit të spektatorëve, ata vendosën ta transferojnë biznesin e tyre në një qytet jugor. Salla e madhe për vite me radhë u shërbeu lojërave të fatit. Durrësi u bë një nga qytetet e pakta shqiptare të rangut të tij, i cili në vend të një kinemaje adoptoi, me shumë sukses, një Festival ndërkombëtar filmi.
Festival, i cili fatkeqësisht nuk prodhoi dot një kinema.

Para një viti, regjisori Marco Bellochio, i ftuar gjatë një evenimenti në Shqipëri, deklaroi para kamerave se ishte i habitur që, në një qytet ku zhvillohet një Festival filmi me këto përmasa nuk ekzistonte qoftë edhe një kinema. Mjeshtri italian kishte të drejtë. Në Durrës kishin zbarkuar brenda pak viteve yjet e kinemasë botërore, nga Francis Ford Copola te Claudia Cardinale, nga Rade Serbexhija te Ian Harlan, nga Jiri Menzel te Kryzystof Zanussi e Lech Majeëski. Prezantimi i tyre në publik ishte bërë ose në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit, ose në amfiteatrin antik, galeritë e të cilit dëshmojnë kulturën mijëvjeçare të Durrësit, por që nuk justifikojnë  asesi mungesën e një salle të vërtetë kinemaje. Aq më tepër tani që popullsia e qytetit kishte kaluar shifrën rekord prej 200 mijë banorë.
 
Vitet 1930, çdo 1000 banorë, një kinema

70 vjet më parë, në kapërcyellin e luftës së dytë botërore qyteti bregdetar pati një boom kinemash. Durrësi numëronte vetëm 8500 banorë, por në kujtimet e durrsakëve numri i kinemave e kalonte numrin e gishtave të njërës dorë. Xhod Beja, pinjoll i njërës prej familjeve të hershme, shkruan në librin e tij “Durrësi dhe italianët” (Botimet Emar 2012) se “filmat italianë mbushnin ekranet e dy kinemave të vjetra: “Savoia” dhe “Gloria”, si dhe të kinemave të reja që u ngritën me ngutje, “Nacional”, në qendër të qytetit, “Duca d’Aosta”, pranë shkollës Gjergj Kastrioti, “Simoncini” në Shkozet, “Skënderbeu”, afër Poliambulancës”.

Pak a shumë të nejtën pasqyrë jep edhe regjisori, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi. 85-vjeçari, që nuk është larguar asnjëherë nga Durrësi, kujton se në periudhën para luftës filmat e ditës njoftoheshin me afishet prej kartoni të shkruara, ose me ato që silleshin më parë nga distributori i filmave.
Filmat e kaubojve amerikanë me John Wayne ishin ato më në modë, sipas regjisorit Vlashi, i cili mban mend se spektatorët nuk mungonin  edhe një javë radhazi. Ndërkaq Xhod Beja, liston emrat e filmave italianë, që shfaqeshin në kinematë e Durrësit në kohën e luftës si dhe aktorët e preferuar, mes të cilëve Amedeo Nazzari, Toto, Eduardo de Filippo, etj. Gjergj Vlashi tregon se në qendër të qytetit, kinematë “Gloria” dhe ajo e klubit “Garibaldi” ndaheshin vetëm nga një rrugë e ngushtë në mes.

Është e vështirë të gjesh në arkiva, apo në kujtesën e durrsakëve të hershëm, se kur është ngritur kinemaja e parë në qytet, por një gjë është e sigurt: Tregtarët e parë kuptuan edhe nevojën e zbavitjes dhe shpikja e vëllezërve Lumier ishte e shkëlqyer. Ekrani i madh, që në periudhën mes dy luftërave botërore kishte argëtuar qindra qytetarë të të gjitha moshave. Shumë kohë më parë, aktorët e ndjerë Spiro Urumi dhe Vangjel Heba më kanë treguar se kinemaja ishte “udhërrëfyesja e parë” e tyre drejt rrugës së artit. Të gjeje paratë për biletën e çmuar, do të thotë të bëje çdo lloj pune që të ofrohej. Kinemaja ishte e shenjtë.
Qyteti e humbi lidhjen me kinemanë në vitin e gjatë 1943-1944, kur Durrësi u zbraz nga forcat naziste, të cilat me dyshimin se vija bregdetare mund të përdorej si vendzbarkimi nga forcat aleate e minuan plazhin dhe portin.
 
Kinoteatrot, zgjidhja e pasluftës

Gjithçka rifilloi si më parë dhe sallat e kinemave nisën të shfrytëzoheshin nga të rinjtë komunistë edhe si skena teatrale.
Gjergj Vlashi, kujton se në kinema “Esperia” u organizua shfaqja e montazhit poetik “Vasha dhe flamuri” të Atë Vinçens Prendushit. Disa muaj më vonë kleriku atdhetar do të ekzekutohej  si tradhëtar, pikërisht nga njerëzit që realizuan shfaqjen me poemën e tij. Ndërkaq në anën tjetër të rrugës ishte ndërtuar kino – verore “Iliria”. Me një kapacitet prej 600 vendesh ajo ekzistoi si e tillë deri në fund të viteve 1980. Një tjetër kinema verore u ngrit në fillim të viteve 1960 edhe në plazh, duke u kthyer në një vend argëtimi për mijëra pushues që kalonin 15-ditëshin e lejes së zakonshme në plazhin më të madh të vendit.

Në fund të bulevardit një ish-ofiçinë e familjes Haveriku e shtetëzuar, ishte kthyer në kino-teatër. Pas ekranizimeve amerikane dhe italiane, tani e kishin radhën filmat sovjetikë. Kjo sallë u rihap në vitet 1970 me emrin “14 nëntori”, data e çlirimit të qytetit bregdetar. Bashkë me kino “Ilirian”, ato u bënë vendet ku u promovuan edhe filmat shqiptarë të Kinostudios “Shqipëria e re”, mes të cilëve edhe “Kohë e largët” e “Dora e ngrohtë”. Më shumë përzgjidheshin filmat e xhiruar në Durrës, apo që kishin realizues e aktorë durrsakë.

Të tilla mbetën kinematë e qytetit të lashtë deri në fillimin e viteve 1990, duke kyçur në memorien e durrsakëve, të gjitha kujtimet që lidheshin me magjinë e ekranit të madh. Dy kinematë e qytetit, ajo e Shkozetit, si dhe dy kinematë verore në Durrës dhe në Plazh u mbyllën shumë shpejt. Dukej sikur të gjithë e kishin harruar se ku i kishin mësuar të rejat e botës, kur ende mungonte ekrani televiziv. Që të gjitha godinat iu rikthyen familjeve të ish-pronarëve, ndërsa tentativat për rikthimin e kinemasë nuk mundën të prodhojnë më shumë se sa një Festival ndërkombëtar të filmit.
 
Shkrimi u publikua sot (1.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore