DURRËS - Drejtoria Rajonale e AKU-së në Durrës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe atë të Rendit, ka zhvilluar sot një aksion në vendet ku tregëtohet në hapsirat publike, përreth tregut të këtij qyteti.
 
Drejtori i AKU-së në Durrës, Altin Murto, deklaroi para mediave, se ky aksion po zhvillohet me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së, si dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe atë të Rendit, sot inspektuam tregtarët ambulantë që shesin përreth tregut të Durrësit.Shqetësimi i AKU-së ka të bëjë me sigurinë ushqimore, pasi këtu tregëtohen dhe produkte me origjinë shtazore, rrezikshmëria e të cilave është më e lartë, ndërkohë që me këtë rast, lirohen edhe hapsirat publike”, tha Murto, duke iu bërë thirrje qytetarëve, që të shmangin blerjet tek shitësit ambulantë e të palicencuar, të cilët nuk ofrojnë asnjë kusht sigurie për produktet e tyre.
 
Gjatë ditës së enjte, 30 tregtarë ambulantë dhe individë që tregtojnë në mënyrë të paligjshme u larguan nga trotuaret ku shisnin, ndërkohë u sekuestruan sasi të konsiderueshme produktesh me origjinë shtazore, si qumësht, djathë, gjizë, vezë etj.
 
Inspektimet nga AKU do të vazhdojnë edhe në ditët tjera, me qëllim rievidentimin e situatës së tregëtimit në mënyrë të paligjshme në qytetin e Durrësit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)