DURRES - Policia e Shtetit ka nën kontroll të gjithë territorin e vendit, teksa tashmë garanton rend dhe siguri në pikat e kalimit të kufirit, në rrugë, në plazhe dhe zona turistike.

Deklarata është bërë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, teksa inspektoi punën në portin detar të Durrësit.

“Kemi nën kontroll të gjithë territorin e vendit. Kemi goditur financat e botës së krimit. Garantojmë qetësi në terminale, pika kufitare, plazhe dhe zona turistike.

Policia gjithashtu ka pasur nje angazhim të madh në plazhe dhe zona turistike ku ka angazhuar mbi 400 forca policore, automjete, motore, motorbarka duke garantuar normalitet gjatë sezonit turistik.

Kryepolici theskoi se më të njëjtën periudhë të një viti më parë rezultatet e policisë së Shtetit në betejën me krimin janë shumë herë më pozitive.

Kështu për periudhën 1 Qershor deri 31 korrik 2014 janq regjistruar 51 të vrarë në një kohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 78 të tillë. Po gjatë kësaj periudhe janë shkaktuar 53 plagosje nga 97 të një viti më parë. Gjithashtu gjatë këtij 2 mujori janë shkaktuar 380 aksidente nga 482 të një viti më parë.

Policia ka asgjesuar 257 mijë rrënjë canabis sativa nga 18 mijë të tilla të asgjesuara gjatë verës së vitit të shkuar.

Didi ndër të te tjera pohoi se lufta kundër krimit të organizuar do të vijoje me të njëjtin intesitet, ndërsa numrin e lartë të aksidenteve rrugore ai e lidhi me shtimin e automjeteve në qarkullim.

Pyetjes së gazetarëve nëse do të paguhen efektivët e policisë për orët shtesë të punës, ai iu përgjigj pozitivisht. Sipas tij, policët po marrin shpërblimet e 2 apo 3 viteve më pare e jo më ato të këtij viti.

Ndërkohë ai nuk la pa përmendur edhe punën e Policisë Kufitare, e cila është ndeshur me një fluks të madh udhëtaresh dhe automjetesh. Kështu gjatë periudhës 1 qershor deri me 10 gusht 2014 kanë hyrë në pikat kufitare 3.981.552 udhëtarë dhe 1.096.964 mjete.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)