Shpërthimet me tritol nga Fushë–Kruja janë zhvendosur në Durrës brenda pak ditësh. Një sasi e vogël tritoli është vendosur mbrëmjen e së mërkurës në lokalin e 62-vjeçarit me iniciale K.R në lagjen nr 17 të qytetit bregdetar, ose në zonën e njohur si URT.

Sasia e lëndës plasëse është vendosur në orët e vona e për pasojë shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëmë materiale, ndërsa ka përhapur panik tek banorët e pallatit në katin e parë të të cilit ndodhej lokali.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor si dhe specialist të njësisë anti-eksploziv.

Edhe pse nuk ka një raport lidhur me ngjarjen, të dhënat e para flasin për një sasi prej 50 gram tritol të vendosur në lokal ndërsa shpërthimi është realizuar me fitil zjarrpërcjellës.

Lokali përdorej më shumë si një magazinë pasi në të gjendeshin materiale të ndryshme. Lidhur me shkakun e këtij sulmi policia po punon në dy drejtime. Një pistë është ajo e konflikteve mes dy pronarëve dhe një tjetër mes pronarëve dhe borxhlinjeve të tyre..


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)