Durrës, GFI ndërpret markimin
e karburanteve, bllokohet nafta

Durrës, GFI ndërpret markimin<br />e karburanteve, bllokohet nafta
Kompania GFI Albania, koncesionarja e markimit të karburantit dhe naftës bruto në Shqipëri ka bllokuar këtë të enjte furnizimin e brendshëm me karburant në Porto Romano, pasi ka ndërprerë markimin e tyre.

Kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj tha në një prononcim për Shqiptarja.com se bllokimi i procesit të markimit është ndërmarrë në mënyrë të njëanshme nga ana e GFI Albania, për shkak të mosmarrëveshjeve me shtetin shqiptar, pasi GFI kërkon të markojë edhe naftën bruto siç është e shkruar në kontratë.

"Ky koncesionar kërkon të marrë lekë dhe nga markimi i naftës bruto që nuk ndodh në asnjë vend në botës. Edhe kur bëhet, markohet karburanti që përjashtohet nga akciza, jo karburanti që paguan akcisë si ai i joni. Konflikti ka lindur me qeverinë pasi GFI në kontratë ka të drejtë që të markojë dhe naftën bruto," tha Aliaj.

Por sipas tij kjo praktikisht është e parealizueshme dhe kështu shteti shqiptar nuk ka arritur t’i detyrojë kompanitë nxjerrëse të naftës që të paguajnë këtë koncesionar. "Kjo sepse nafta bruto që të markohet duhet të vihet në temperaturë vlimi, të shkrihet, e cila në fund e prish dhe naftën bruto dhe eksportuesit nuk e marrin të përzier me një molekulë që këta hedhin," sqaron Aliaj.

Ai më tej thotë se shteti shqiptar nuk mund të jap urdhër që karburanti të dalë pa markuar, pasi do të shkelte VKM numër 489, e cila ka hyrë në fuqi në qershor të 2013-ës.
 
Në këtë situatë asnjë prej mjeteve transportuese nuk mund të largohet nga Porto Romano, pasi pa markimin, nuk mund të procedohet me zhdoganimin e produkteve. Ndërkohë asnjë prej autoriteteve shtetërore që mbikqyrin tregun e karburanteve nuk ka marrë njoftim nga GFI Albania për arsyet e bllokimit të procesit.
 
Kontrata koncesionare me GFI Albania është 10-vjeçare dhe kushton afërsisht 150 milionë euro. Ajo mori të drejtën mbi koncesionin e markimit të karburanteve në vitin 2011, ndërsa aktiviteti nisi në vitin 2013. Tarifa që tregtarët e shumicës i paguajnë koncesionarit është 614 lekë plus TVSH-në, për një mijë litra të markuara. Kostot e këtij koncesioni shkarkohen tërësisht mbi konsumatorin shqiptar, të cilët paguajnë një kosto shtesë prej rreth 10 milionë eurosh në vit për këtë taksë.

Nga ana tjetër, Shoqata e hidrokarbureve thotë se kompania GFI Albania, që fitoi këtë koncesion në vitin 2013, nuk ka instaluar ende sistemin e injektimit të ngjyrosësit, siç është parashikuar në kontratë. Ngjyrosja bëhet ende me dorë nga punonjësit e saj, duke bërë që shënjuesi të mos shpërndahet në mënyrë të njëjtrajtëshme.

Mosrespektimi i kontratës me shtetin Shqiptar u vu re edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili në maj të vitit 2015, i kërkoi zyrtarisht Qeverisë zbatimin me përpikmëri të marrëveshjes koncesionare si dhe që te realizojë analizën e plotë ex-post të rezultateve gjatë fazës së parë të monitorimit deri në fund të vitit 2014 nga ana e Kompanisë.

Markimi i karburanteve bëhet me qëllim ndalimin e tregtimit të paligjshëm të tyre. Karburantet e ligjshme, për të cilat është paguar taksa përkatëse, markohen me një markues i cili nuk mund të kopjohet apo hiqet dhe mund të identifikohet vetëm me një analizues të dedikuar. Porto Romano dhe Petrolifera në Vlorë janë dy pikat e furnizimit me naftë në vend.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre