DURRES - Sistemi i rrjetit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave të zeza ka nevojë për një reformë të thellë të mbështetur në shtrirje të qëndrueshme dhe gjeografike. Kështu ka deklaruar Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë një takimi që është shvilluar sot në Durrës me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore, në fokus të të cilit ishtë projekti për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Durrësit.

Shumë shpejt do të prokurohet një projekt i ri për furnizimin me ujë të Durrësit dhe zonave përreth, një projekt në nivelin e rreth 62.5 milionë euro nga i cili do të përfitojë qyteti i Durrësit dhe zona përreth.

"Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropësn dhe Azinë Qendrore, Laura Tuck, pasi është njohur me funksionimin e impiantit të ujërave të zeza dhe situatën e furnizimit me ujë, tha se projekti i ri për ujin e pijshëm do të jetë një investim mjaft i rendesishëm." u shpreh Haxhinasto

"Projekti sjell përfitim për qytetarët dhe ndikim në ekonomi. Ky projekt është i rëndësishëm për banorët e qytetit të cilët do të konsumojnë ujë më të shëndetshëm, por edhe për investitorët dhe ndoshta pritet të ketë edhe rritje të numrit të turistëve. Nëse ne arrijmë të bëjmë këtë projekt të rëndësishëm, atëherë rritet mundësia për investime nga Banka Botërore edhe në sektorë të tjerë." tha Tuck

Projekti i Bankës Botërore përveç ndërtimit të linjës së re të ujit të pijshëm, parashikon edhe rehabilitimin e gjithë zonës së plazhit dhe Durrësit për kanalet sekondare dhe terciale. Ai parashikohet të përfundojë në vitin 2018.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)