DURRES - Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë për të disatën herë 58-vjeçarin Nikollaq Liçi nga Kuçova me banim ne Durrës. Arrestimi i tij u krye disa metra larg poliambulancës së Durrësit disa minuta pasi kishte realizuar një vjedhje në xhepat e një 45-vjeçari po nga qyteti i Durrësit.

Policia e Durrësit ka sqaruar se Liçi është një emër i stërnjohur për ta pasi është arrestuar me dhjetëra herë prej tyre teksa është kapur duke vjedhur nëpër xhepat e qytetarëve. Ai e ka nisur aktivitetin e tij në fillim të viteve ’70 bëjnë me dije specialistët e luftës kundër vjedhjeve. Në ato kohë në vendin tonë u shtuan shumë vjedhësit e xhepave ose xhepistët siç i quante populli. Ata specializoheshin për të vjedhur portofolat nga xhepat e qytetarëve me dy gishta, me gishtin e mesit dhe atë tregues. Madje rrëfejnë ekspertët e policisë, disa prej xhepistëve patën operuar gishtin e madh të dorës me të cilën vidhnin duke e hequr fare atë pasi i penonte të fusnin dy gishtat nëpër xhepat e shënjestrave të tyre.
 
Ditën e sotme Nikollaqi kishte gjuajtur 45-vjeçarin M.C dhe e kishte parë kur ai kishte nxjerrë nga xhepat një sasi të mirë kartmonedhash të huaja më konkretisht euro. M.C i ishte drejtuar poliambulancës qendrore në Durrës për të kryer një vizitë mjekësore por që i duhej të mbante radhë. Pas tij u vendos Liçi së bashku me një bashkëpunëtorin e tij dhe për një moment arritën që t'i vidhnin paratë 45 vjecarit. Më pas ata u larguan nga mjediset e ambulancës. Disa metra më tutje që të dy nisën të ndanin eurot por janë diktuar nga i zoti parave i cili ka mundur që të bllokojë 58-vjeçarin në një kohë që bashkëpunëtori i tij u largua me vrap nga vendi i ngjarjes. Në ndihmë të personit që u vodh kanë shkuar disa efektivë policie të cilët kanë bërë ritualin duke e arrestuar Liçin për të 30 herë në karrierën e tij.
 
Nga kontrolli fizik atij ju gjetën 2350 euro ndërkohë që 650 euro i kishte marrë bashkëpunëtor i tij. Por sipas personit te vjedhur ai veç 3000 eurove kishte pasur në xhep edhe 10 mijë lekë që mesa duket kanë shkuar së bashku me 650 eurot.
 
Agjentët e policisë po punojnë për të identifikuar personin e dytë bashkëpunëtor të Liçit.
 
Bëhet e ditur se në muajin maj, pranë hipotekës Durrës një banori të Sukthit ju vodhën 600 mijë lekë nën kërcënimin e një pistolete dhe sipas uniformave autor ka qenë Liçi me bashkëpunëtorë të tjerë.Ai është lënë i lirë pas disa muajve kanë sqaruar uniformat blu të Durrësit.
 
Duhet thënë se Durrësi ashtu si Tirana gjuhet shumë nga xhepistët e rretheve të tjera të cilët bashkëpunojnë me homologët e tyre të këtyre metropoleve. Ata i gjen teksa kryejmë detyrën e tyre nëpër stacionet e autobusëve, zyrat e gjendjes civile,pranë bankomatëve etj vende publike ku grumbullohen njerëz.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)