Durrës - Një ngjarje e paprecedentë është shënuar në fshatin Katund Sukth ku një 46-vjeçar në gjendje të dehur kërcënoi me armë sportive specialistin e Policisë së zonës.

Leonart Sheta dyshohet se pasi ka parë efektivin i cili ishte në krye të detyrës, ka zbritur nga makina dhe e ka kanosur me armën të cilën e kishte pa leje.

Uniformat blu sekuestruan armën e makinën e 46-vjeçarit si provë materiale.

Njoftimi i policisë:

Pas njoftimit të një specialisti të Seksionit të Policimit në Komunitet të Komisariatit të Policisë Durrës, se në fshatin Katund Sukth, ishte kanosur me armë, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës, të planëzuar me shërbim për monitorimin e kësaj zone, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë mundësuar arrestimin e autorit, shtetasit L. Sh., 46 vjeç, banues në fshatin Katund Sukth.

Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se 46-vjeçari ka zbritur nga automjeti, sapo ka parë SPZ-në e zonës, me shërbim, dhe e ka kanosur atë, me armën sportive që mbante pa leje.

Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se shtetasi L. Sh. e drejtonte automjetin ku mbante armën, në gjendje të dehur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.