Durrës, Rama inspekton punimet
te Currilat: Ua kthyem qytetarëve!

Durrës, Rama inspekton punimet<br />te Currilat: Ua kthyem qytetarëve!
DURRES - Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe kryetari i  Bashkisë Durrës Vangjush Dako, ishte sot në zonën e Kodër Vilë në Durrës, për të parë nga afër transformimin e kësaj zone pas përfundimit të fazës së parë të projektit për rehabilitimin, të financuar nga qeveria.

Vlera e këtij investimi, për kryebashkiakun Vangjush Dako, është e dyfishtë, çliron buxhetin e qytetit nga shpenzime të përvitshme për disiplinimin e saj nga rrëshqitja e dherave, si dhe u rikthen qytetarëve një hapësirë urbane me standarde.

“Kjo kodër i është rikthyer qytetarëve të Durrësit si një vend shëtitjeje e argëtimi. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Mjedisit, për ta shtrire këtë projekt deri te Kodra e Vilës, për t’i dhënë mundësinë qytetarëve të Durrësi ta shijojnë atë, edhe si një pistë vrapimi,”  u shpreh Dako.

Ndërsa Ministri i Mjedisit e cilësoi një model për zona të tjera të ngjashme, me rëndësi ekonomike dhe turistike.  

“Një model që edhe një zonë që kishte humbur çdo shpresë dhe kishte humbur besimi i njerëzve mund të transformohej në një lulishte dhe sot do ta konsideroj me plotë kuptimin e fjalës, një peizazh natyror i përkryer. Ne do të vazhdojmë në zona të tjera të Shqipërisë, që janë zona të rëndësishme ekonomike, turistike,“  tha ministri Koka.

currilat 

Rama: Ky investim e kthen në një atraksion të rëndësishëm këtë zonë
Kryeministri Rama u shpreh se degradimi i kësaj zone ishte një goditje e rëndë për potencialin turistik të Durrësit dhe ky investim e kthen në një atraksion të rëndësishëm për qytetin.

“Për qytetarët e Durrësit, kjo ishte e njohur si kodra e rrëshqitjeve të dherave dhe e rreziqeve të vazhdueshme, ndërsa për gjithë vizitorët e panumërt nga Tirana apo nga kudo, kjo ishte një goditje në sy që pengonte të shijohej kjo zonë me një potencial kaq të rëndësishëm turistik. Falë kësaj ndërhyrjeje të qeverisë shqiptare, këtu kemi një transformim rrënjësor, janë mbjellë 50 mijë fidanë dhe brenda një harku 2-3 vjeçar do të kemi një pamje të transformuar të një kodre të gjelbëruar dhe një larmi bimësie, që do të jetë vërtet një atraksion i rëndësishëm për të gjithë ata që do të shfrytëzojnë vijën e shëtitjes në ajër të pastër. Një vijë shëtitjeje që synojmë ta zgjasim e ta çojmë deri tek Kodra e Vilës, për t’i dhënë qytetarëve të Durrësit, një kilometër shëtitore të re.” u shpreh Kryeministri

Kryeministri theksoi faktin se qeveria mbetet e angazhuar për të korrigjuar gabimet e së shkuarës në qëndrimin ndaj mjedisit dhe pyjeve.   

“Kam shumë kënaqësi të them se vetëm në vitin e parë të qeverisë, pra, të vitit të parë të mbjelljes kemi kapur kuotën e 2.5 milionë fidanëve dhe jemi në një proces ripërtëritjeje të një plage të tmerrshme, të hapur për 20 vjet rresht me shkatërrimin e pyjeve dhe dëmtimin masiv të florës së vendit tonë. Durrësi, për ne, ka qenë e mbetet një prioritet strategjik dhe në kuadrin e kësaj qasjeje, edhe ky investim është një shenjë shumë e fortë për rilindjen që duam për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë.” tha Rama

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Nuk jeni shumë të fokusuar te dashuria... horoskopi për sot

Nuk jeni shumë të fokusuar te dashuria... horoskopi për sot