TIRANE- Vrasja e biznesmenit mbrëmjen e së mërkurës në Durrës, erdhi pas sherrit me shokun e tij në lokal. Burime nga grupi hetimor i ngritur për vrasjen makabre të 39-vjeçarit Arben Hasa, bëjnë me dije se mes dy shokëve katër muaj para se të ndodhte ngjarja ka nisur një konflikt teksa po darkonin në një lokal, pranë zonës ku banonin. Debati mes tyre mësohet se ka degjeneruar me ofendime e kërcënime, por me ndërhyrjen e të tjerë personave që ndodheshin në lokal ishte shuar.

Por, teksa mendohej që marrëdhënia mes dy shokëve ishte përmirësuar, autori i dyshuar Miran Tila nuk e kishte harruar konfliktin, duke planifikuar  më vonë edhe ekzekutimin e mikut të tij. 43-vjeçari Tila mësohet se mbrëmjen kur ka ndodhur vrasja, i ka kërkuar shokut të tij ta shoqëronte deri në banesë me automjet. Autori i krimit me vete kishte marrë dhe armën e zjarrit, lloji kallashnikov. Sipas policisë kur viktima është afruar pranë zonës ku jetonte Miran Tila, ky i fundit e ka qëlluar dy herë brenda automjetit me armë zjarri duke e lënë fillimisht të plagosur.

Tentativa
I dëmtuari, Arben Hasa mësohet se ka dalë nga makina në tentativë për të shpëtuar, por që është ndjekur për rreth 100 metra nga autori, i cili e qëlloi edhe tre herë të tjera duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja e rëndë u zbulua mëngjesin e së enjtes, ku  Arben Hasa, u gjet i vrarë në fshatin Manëz të Vjetër.

Kurse automjeti i viktimës në fshatin Shkallë, aty ku ishte braktisur nga autori. Në automjet u gjeten njolla gjaku, 2 copë fishekë dhe një gëzhojë automatiku. Burime nga hetuesit e çështjes bëjnë me dije se konflikti mes dy shokëve nisi 4 muaj më parë, teksa po darkonin në një lokal, pranë zonës ku banonin. Debati më pas kishte degjeneruar në ofendime e kërcënime që pasuan planin e Miran Tilës për të vrarë shokun e tij.

Hetimet
Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se kanë dalë me këtë version pasi janë marrë deklarimet e gjithë të afërmve të viktimës dhe autorit të dyshuar të vrasjes. Pista e vetme që po hetohet nga grupi hetimor në Policinë e Durrësit thotë se është ajo e një konflikti mes dy shokëve të ngushtë. Kanë qenë dëshmitarët e sherrit të ndodhur katër muaj më parë mes dy shokëve, të cilët drejtuan hetuesit në këtë pistë. Ndërkohë, burimet theksojnë se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të vrasjes së biznesmenit. 


Autori në kërkim, qëlloi me kallashnikov shokun

Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim mbrëmjen e së enjtes si autor kryesor të vrasjes së biznesmenit të materialeve të ndërtimit, 43-vjeçarin Miran Tila, banues në Manëz Durrës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se midis tyre ka patur një konflikt disa muaj më parë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar në nenet 78 dhe 278/5, të Kodit Penal.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)