Durrës - Dy drejtues automjetesh do të hetohen në gjendje të lirë pasi tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore.

Një 55-vjeçar i ofroi efektivëve 3000 lekë pasi gjatë një kontrolli u konstatua se nuk ishte me vete, lejen e drejtimit, si dhe se nuk kishte kryer kontrollin teknik periodik të automjetit.

“Gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisisë Rrugore të Durrësit iu bënë shenjë ndalimi, te mbikalimi i Shkozetit, automjeteve me drejtues shtetasit:

R. K., 55 vjeç, banues në Durrës, i cili gjatë verifikimeve u konstatua se nuk ishte me vete, lejen e drejtimit, si dhe se nuk kishte kryer kontrollin teknik periodik të automjetit. Për të shmangur masën administrative për këto shkelje, ai iu ka ofruar punonjësve të Policisë, 3000 lekë”, njoftoi sot policia.

Ndërkohë një 20-vjeçar i ofroi Rrugores 1000 lekë pasi u kap duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit.

“G. B., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili u kap duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit. Për të shmangur masën administrative për këtë shkelje, ai iu ka ofruar punonjësve të Policisë, 1000 lekë.

Në përfundim të veprimeve procedurale nisi procedimi në gjendje të lirë për të dy shtetasit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, thuhet më tej në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.