DURRES -  Dy grabitësit të cilët i morën 2.5 milionë lekë vëllezërve kambistë, duke vrarë njërin prej tyre Fatmir Kotarja ishin trup shkurtër të maskuar me kapuçë të zi dhe të armatosur me kallashnikov. Grupi hetimor zbardh detaje të tjera të vrasjes që ndodhi mesditën e djeshme pranë sektorit Iliria në zonën e plazhit qytetin e Durrësit. Ndërkohë që i vëllai dëshmon se gjithkçka ishte e mirëorganizuar.  

VRASJA
Vrasja u shënua rreth orës 13: 30 të 27 janarit (dje) . Vëllezërit Xhemal dhe Fatmir Kotarja ushtronin aktivitetin e tyre në një pikë këmbimi valutor në lagjen nr 5 të Durrësit, ku punonin së bashku. Për arsye sigurie paratë nuk i linin në vendin e punës por i merrnin në shtëpi. Grabitësit duhet të kenë ndjekur çdo lëvizje pasi u kanë dalë përpara në momentin kur ata po bëheshin gati të hynin bashkë me automjetin në e tyre në oborrin e shtëpisë.

Grabitësit kanë shfrytëzuar momentin kur njëri nga vëllezërit ka dalë nga makina dhe ka shkuar për të hapur portën. Ata janë shfaqur me shpejtësi dhe i janë afruar automjetit ku ndodhej Fatmiri bashkë me çantën ku gjendeshin 2. 5 milionë lekë. Fatmiri ka bërë rezistencë për të mos lejuar marrjen e parave. Në këtë çast njëri prej grabitësve ka qëlluar në këmbë duke e lënë të plagosur rëndë, ka dëshmuar në polici i vëllai Xhemal Kotarja.


HETIMET: GRABITJA E PLANIFIKUAR
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se nisur nga mënyra si kanë rrjedhur ngjarjet, mendohet se grabtiësit kishin planifikuar grabitjen. Ata kanë ndjekur çdo lëvizje të vëllezërve dhe kanë ndërhyrë në momentin kur njëri prej tyre ka dalë nga makina për të hapur derën. Madje ata kanë qenë tepër të sigurtë në veprimet që bënin dhe flisnin mjaft qetë. 46 vjeçari ishte plagosur në kofshë dhe plumbi i kishte prekur arterien femorale duke bërë që të humbë shumë gjak. Fatmir Kotarja humbi jetën rrugës për në spital.

62 TE SHOQERUAR, POLICIA AKSION PER ARRESTIMIN E AUTOREVE

Policia e Durrësit zbardhi sot dinamikën e vrasjes së Fatmir Kotares, banues në lagjen nr 13 të Durrësit. Mbi 62 persona janë shoqëruar e pyetur mbi rrethanat e hetimit.  Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në një lokal ne lagjen Nr.6 Durres, është arestuar dhe një person pasi i janë sekuestruar disa armë. Policia thotë se Zakarel Zaka, 34 vjec është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municioneve”.

Policia e Durrësit ka vënë në dispozicion 10 mijë euro për identitetin dhe arrestimin e autorëve. Sipas përshkrimit të vëllait, grabitësit ishin trupshkurtër.Policia vë në dispozicion numrin e telefonit 069 41 18 890 dhe sqaron se do të ruhet identiteti i personit që denoncon. 

DEKLARATA E POLICISE
"Në date 27.01.2013, rreth ores 13.20, ne lagjen Nr.13 Plazh Durres, nga persona te paidentifikuar eshte qelluar me armë zjarri shtetasi Fatmir Kotarja, 47 vjec, banues ne lagjen Nr.13 Durres. I dëmtuari ka ndërruar jetë gjatë kohës kur transportohej nga vëllai i tij për ndihmë mjekësore drejt Spitalit Rajonal Durrës.
Me sinjalizimin e marrë në Polici për këtë ngjarje, në pikat hyrëse dhe dalëse që lidhin me vendin e ngjarjes u ngritën pika kontrolli. Gjithashtu në vendngjarje, për kryerjen e veprimeve të para hetimore e proceduriale u angazhuan specialistë të strukturave të ndryshme që operojnë në Policinë e Qarkut, të cilët punuan nën drejtimin e Prokurorisë Rrethit. Nga tërësia e veprimeve të para hetimore të kryera lidhur me këtë ngjarje rezultoi se: Shtetasi Fatmir Kotarja, në kohën kur eshte kthyer nga vendi i tij i punes, lokal i kembimit valutor ne lagjen Nr.6 Durres, me automjetin e tij Ford Focus me targa AA397CY, para portes se baneses se tij, dy persona te maskuar dhe me arme zjarri automatik e kanë qelluar dhe me pas i kane marre ne sedilen e makines nje shumë prej 2.500.000 lekë.
Nën drejtimin e Prokurorisë veprime hetimore kanë vijuar edhe përgjatë natës ku në ambientet policore janë shoqëruar e pyetur mbi rrethanat e hetimit 62 persona. Po kështu, masat kanë vijuar edhe me kontrolle të ambienteve të ndryshme. Gjatë kontrolleve të kryera, në një lokal ne lagjen Nr.6 Durres në pronësi të shtetasit Zakarel Zaka, 34 vjec, banues ne lagjen Nr.6 Durres, u gjetën dhe sekuestruan ne cilesine e proves materiale:- 1 pushke model 56 kaliber 7.62mm,
-10 cope fisheke te kalibrit 7.62mm,-35 cope fisheke kaliber 9mm,-1 revolver me mulli pa numer.Shtetasi në fjalë u arrestua në flagrancë nga ana jonë për veprën penale “Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municioneve”.  Nga ana jone po vazhdon puna per identifikimin e autoreve si dhe sqarimin e plotë të rrethanave te kësaj ngjarje. Materialet hetimore iu kaluan Prokurorise së Rrethit Gjyqesor Durres per veprat penale “Vjedhje me armë me pasoje vdekjen e kryer ne bashkepunim” dhe “Mbajtje pa leje e armeve luftarake”parashikuar nga nenet 141, 25 dhe 278 të Kodit Penal."

GRABITJA E DYTË
Kjo është hera e dytë që vëllezërit Kotarja grabiten. Vëllai Xhemal Kotarja ka treguar se ishin bërë pre e grabitjes E para në 2000, pasi i kishin dhunuar i kishin marrë 50 mln lekë të vjetra. Edhe autorët e asaj grabitje nuk ishin zbardhur ndonjëherë, ndërkohë që grabitja e dytë, e ndodhur dje (27 janar) ka qenë fatale për jetën e një prej vëllezërve..

Lajmi u publikua fillimisht ne oren 13: 30 minuta te 27 janarit, dhe u perditesua me 28 janar ner vazhdimesi

Redaksia online
(ak/ sg/shqiptarja.com)