Me këngën e himnit kombëtar, Bashkia e Durrësit çeli ceremoninë zyrtare që u zhvillua në sallën e Këshillit Bashkiak për të shënuar 14 Nëntorin, ditën e çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazifashistë në vitin 1944.
Në aktivitet morën pjesë kryebashkiakja Emiriana Sako, prefekti i qarkut Emiljan Jani, kryetarja e Këshillit Bashkiak Denisa Luarasi, deputetë të Durrësit, si dhe përfaqësues të organizatës së veteranëve dhe familjarë të dëshmorëve që ranë për lirinë e vendit.
Gjatë fjalimeve të mbajtura nga drejtoresha e Arsimit dhe Kulturës në bashki, Migena Muhaj, dhe nënkryetari i shoqatës së veteranëve, Kristaq Prifti, u vu në dukje roli i rëndësishëm i durrsakëve në betejën për çlirimin e Shqipërisë.
“Dita e sotme është një moment i veçantë për qytetin tonë dhe për mbarë vendin. Ajo na rikthen në kujtesë sakrificën dhe trimërinë e dhjetëra patriotëve, luftëtarëve të lirisë, të rinj e të reja, që dhanë gjithçka për atdheun. Pikërisht në Durrës nisi të shkruhej, me gjakun e të rënëve, historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Që prej 7 prillit 1939, Durrësi u shndërrua në simbol të qëndresës dhe në një qendër të rëndësishme të lëvizjes çlirimtare. Edhe në momentet më të vështira të pushtimit, qyteti ynë nuk u dorëzua; përkundrazi, vazhdoi luftën dhe shtoi radhët e luftëtarëve të lirisë. Sot, 81 vite më pas, ne kujtojmë me krenari këtë ditë historike dhe nderojmë qytetarët e Durrësit që u angazhuan në një kauzë të drejtë, duke vënë mbi gjithçka lirinë dhe dinjitetin kombëtar’, u shpreh ndër të tjera drejtoresha Muhaj.
14 nëntori, dita e çlirimit të Durrësit, mbetet jo vetëm një datë e rëndësishme historike, por edhe një mesazh i fortë për brezat e rinj, të cilët duhet të ruajnë e të përcjellin vlerat e patriotizmit, solidaritetit dhe bashkimit që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar.
Komente









