TIRANE- Aleksandër (Esat) Dushaj, autori i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve Shkambi në Shkodër më 2 janar 2016, është shfaqur i papenduar teksa ka rrëfyer në Policinë e Tiranës motivin e ekzekutimit të tyre. Ai u arrestua mbrëmjen e së hënës në afërsi të sheshit “Shqiponja” në Tiranë, ku iu vetëdorëzua efektivëve të policisë. 31-vjeçari qëlloi për vdekje dy vëllezërit, Abdulla dhe Skënder Shkambi, pasi ky i fundit refuzoi t’i jepte vajzën e tij për nuse dhe e kishte dërguar atë jashtë shtetit për ta mbajtur larg nga i riu.

“Nuk jam penduar se i kam vrarë ata dy, më ndanë nga personi që unë doja më shumë në këtë jetë. Madje isha i gatshëm të vrisja edhe vëllanë e tyre të tretë”, është shprehur 31-vjeçari Dushaj, gjatë marrjes në pyetje nga oficerë të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranë. Po ashtu, i riu ka thënë që ka qenë i martuar më parë në Greqi, por është ndarë për t’u martuar me vajzën e viktimës. “Isha i martuar në Greqi, por më pas u ndava nga ajo vetëm për t’u martuar me vajzën e Skënderit”, ka thënë Dushaj.

Largimi nga vendngjarja 
“Jam larguar nga vendi i ngjarjes që atë natë kur kreva krimin, duke ardhur këtu në Tiranë. Pasi munda të ikja prej andej, arrita të strehohesha tek shtëpia e një mikut tim në Kamëz”, ka thënë i riu në polici. Ndërkohë, ai ka sqaruar se gjatë gjithë kohës, deri në momentin e arrestimit të tij, ngjarjen e ka ndjekur nëpërmjet televizorit. “Gjithë ngjarjen që e shkaktova vetë, e kam ndjekur nëpërmjet televizioneve, ndërsa kisha frikë mos ekzekutohesha nga forcat RENEA, kjo ishte edhe arsyeja që unë u largova nga vendi i ngjarjes duke ardhur në Tiranë. Më pas, vendosa të telefonoja Policinë e Tiranës sepse kisha frikë për jetën time”, ka shpjeguar më tej i riu arsyen e largimit të tij nga vendngjarja.

Biseda me vajzën e viktimës 
Gjithashtu, 31-vjeçari Dushaj është shprehur para oficerëve që kishte një komunikim të vazhdueshëm me vajzën e njërit prej vëllezërve të vrarë, Skënder Shkambi. “Flisja vazhdimisht me vajzën e Skënderit në Facebook. Ajo nuk më kishte refuzuar asnjëherë gjatë kohës që ne flisnim. Ishte babai i saj që nuk donte në mënyrë kategorike që unë të bëhesha dhëndër në familjen e tyre. Madje, kisha kërkuar tre herë që të sqaroheshim se përse nuk donin të më takonin, por asnjëherë nuk mora një përgjigje nga ata”, ka vijuar Aleksandri në rrëfimin e tij. “Me atë që kam kuptuar unë, refuzimi i tyre që unë të kisha një lidhje me vajzën vinte ngaqë familja ime ishte e varfër në krahasim me familjen Shkambi. Në këtë moment, unë vendosa që të vrisja ata dy persona”, ka përfunduar Dushaj. 


Arratia/ Aleksandër Dushaj transferohet në paraburgimin e Shkodrës 
Forcat e policisë së kryeqytetit kanë transferuar në Shkodër autorin e vrasjes së dy vëllezërve i cili u dorëzua gjatë mbrëmjes së të hënës. Aleksandër (Esat) Dushaj ka mbërritur në dhomat e paraburgimit në Policinë e Shkodrës paraditen e djeshme me pranga në duar, pas më shumë se 3 ditëve në arrati që nga momenti i kryerjes së vrasjes. Ndonëse forca të shumta policie kishin nisur kërkimet intensive në zonën ku ndodhi ngjarja, 31-vjeçari Dushaj kishte ardhur në Tiranë  për t’u vetëdorëzuar, pasi ai mundi që të largohej dhe të udhëtojë nga zona e Postribës dhe malet e Dukagjinit, drejt Tiranës për t’u dorëzuar në Drejtorinë e Policisë.

Që nga dita e kryerjes së vrasjes, Aleksandër (Esat) Dushaj u kërkua intensivisht në zonë, por që nga dita që ai kreu vrasjen e dyfishtë ka qëndruar tek një miku i tij në Kamëz dhe negocioi me policinë para se të dorëzohej. Burimet nga policia e kryeqytetit thonë se Esat Dushaj u dorëzua në Tiranë, pasi në Shkodër ai kishte frikë për jetën e tij, ndërkohë që armën e krimit dyshohet se e ka hedhur në afërsi të vendit ku qëlloi për vdekje dy vëllezërit, njëri prej të cilëve kishte refuzuar dhënjen e dorës së vajzës së tij, për t’u martuar me Dushajn. Ndërkaq, të njëjtat burime kanë bërë me dije se po hetohet edhe personi që e strehoi për më shumë se dy ditë 31-vjeçarin në shtëpinë e tij në Kamëz.

Po ashtu, ato shprehen se po punohohet për gjetjen e armës me të cilën i riu qëlloi për vdekje dy vëllezërit Shkambi. Burimet thonë se gjetja e armës së krimit do të jetë shumë e vështirë, pasi vendi ku i riu dyshohet ta ketë hedhur janë malet në qytetin e Shkodrës. Grupi hetimor në Shkodër pritet të marrë dëshminë e plotë të 31–vjeçarit, gjithashtu të gjejë dhe armën e krimit automatik kallashnikov, e përdorur nga ana e autorit në vrasjen e dyfishtë. Ai pritet të dalë para Gjykatës së Shkodrës, aty ku fillimisht do të njihet me masën e sigurimit personal. 


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)