DW: BE i kërkoi Kurtit vazhdimin e dialogut me Serbinë, por sa është prioritet për Kurtin dialogu?

DW: BE i kërkoi Kurtit vazhdimin e dialogut me Serbinë, por sa është prioritet për Kurtin dialogu?

Flamuri i Serbisë, Bashkimit Evropian dhe Kosovës

Komisionieri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë. Sipas Varhelyi, kthimi i perspektivës evropiane në realitet për Kosovën kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë dhe normalizim raportesh mes dy vendeve. "Kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në realitet për qytetarët e saj kërkon po ashtu vazhdim të shpejtë të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve me Serbinë. Kjo është thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës dhe të Serbisë dhe për përmirësim të bashkëpunimit rajonal”, ka shkruar Varhelyi.

Për BE dialogu prioritet

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga ana e tij, disa herë e ka theksuar, se ai është i gatshëm për dialog me Serbinë, por nuk e ka ndër prioritetet e tij. Prioritet për të është përballja me pandeminë, drejtësinë dhe mirëqenien sociale. Por, Bashkimi Evropian dialogun me Serbinë e sheh si prioritet për punët e jashtme të Kosovës. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano. "Kur bëhet fjalë për prioritetet e Qeverisë, nuk ka konkurrencë në mes prioriteteve individuale. Prioritetet e brendshme të Kurtit janë shumë të rëndësishme. Por, në të njëjtën kohë dialogu është prioriteti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Kosovës dhe nuk duhet të shihet si i ndarë apo që nuk përputhet me prioritetet e tjera që i ka përmendur kryeministri”, ka thënë Peter Stano.

Sipas tij, "BE-ja dhe shtetet anëtare presin që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim vazhdimin e takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë që kanë përpara tyre për të sjellë këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”.

Kosova paralajmëron masa reciprociteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendësen e tij dhe ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, zhvilluan takim virtual me udhëheqësit e misioneve diplomatike të Bashkimit Evropian në Kosovë. Kurti u tha diplomatëve evropianë se prioritetet e Qeverisë janë "drejtësia dhe punësimi, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe promovimi i investimeve”. Ndërsa shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla u shpreh, se ajo "mirëpret interesimin e BE-së për dialogun por me rëndësi është që të fokusohemi në luftimin e pandemisë, zhvillimin ekonomik dhe reformën në drejtësi”.

Qeveria e Kosovës ndërkaq, ditë më parë ka paralajmëruar edhe masa reciprociteti për secilin shtet përfshirë edhe Serbinë, masa këto në secilën fushë ku siç thotë qeveria "aty, ku ka veprime të njëanshme, të cilat shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara”.

"Reciprociteti është e drejtë që buron nga barazia dhe sovraniteti, pra të qenit i pavarur”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu. Në nëntorin e vitit 2018 qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kishte vendosur taksë 100 për qind, për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinën. Më vonë nga qeveria Kurti në mars të vitit 2020 taksa u zëvendësua me reciprocitet me Serbinë. Qeveri Kurti 1 u rrëzua, ndërsa, masën e reciprocitetit e hoqi qeveria pasuese e Avdullah Hotit, për t'i hapur rrugë një marrëveshjeje për përmirësim të raporteve ekonomike Kosovë-Serbi që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë.

Pas paralajmërimit aktual të qeverisë së re të Kosovës për rikthimin e mundshëm të reciprocitetit në rast se ka veprime të njëanshme nga Serbia, ka pasur reagime nga zyrtarë serbë. Ata e shohin si kërcënim atë, si ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Marko Gjuriq, që ishte edhe drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Gjuriq ka thënë se paralajmërimi i Kosovës për kthimin e masave të reciprocitetit është "gjuhë e ultimatumeve dhe shantazheve”.

"Shteti serb dhe presidenti Aleksandër Vuçiq, janë të vendosur për dialog konstruktiv, sigurisht që nuk do të lejojnë që Kurti apo ndonjë udhëheqës tjetër shqiptar ta fusin në dialog gjuhën e kërcënimeve dhe shantazheve”, ka thënë për gazetën politika Marko Gjuriq.

Për dialogun duhet grup uniteti me opozitën

Vetë analistët politikë shprehen, se udhëheqësit e rinj të shtetit të Kosovës, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti nuk duhet të merren me atë se çfarë deklarojnë zyrtarët në Serbi, por duhet të përgatisin një platformë të qartë të dialogut.

"Duhet ta përgatisin një platformë të qartë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, dhe ti kenë potencialisht tendencat e krijimit të një grupi të unitetit, ku të jenë të përfaqësuar edhe opozita në mënyrë që kur të arrihet marrëveshja të mos ketë telashe të ratifikimit apo pranimit të asaj marrëveshje në parlament”, i tha DW Arton Demhasaj analist politik.

Sipas tij, qeveria e Kosovës dhe Presidentja duhet të jenë gati kurdo që dërgohet ftesa nga ndërmjetësi i dialogut në këtë rast, Bashkimi Evropian. "Për qeverinë Kurti është një prej aspekteve kryesore dialogu, sepse ne e dimë që dy qeveritë e fundit janë rrëzuar për shkak të dialogut dhe normalisht nuk duhet që qeveritë në Kosovë të rrëzohen prapë për shkak të dialogut, por thjesht e njëherë e mirë të mbyllet ky proces i dialogut dhe Kosovës t'i hapet rruga integrimeve euroatlantike dhe të mos kemi më pengesa të tilla”, thotë Demhasaj. I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, në vizitën e tij të fundit në Prishtinë në fillim të marsit pati thënë se ai pret që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet gjatë qeverisjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet edhe brenda muajsh./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja