Sipas llogaritjeve nga Brukseli, Evropa mund të shpresojë një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike nga kriza e Coronës. "BE parashikon të rikthehet në nivelin e para krizës në tremujorin e katërt të 2021", tha të mërkurën (12.05) komisioneri i BE për Ekonomi, Paolo Gentiloni. Sipas parashikimeve të bëra në pranverë nga Komisioni i BE, kuota e borxheve në vendet e zonës së euros pritet të arrijë një nivel të ri me mbi 102 përqind të prodhimit bruto.
Komisioni Evropian ka korrigjuar ndërkohë parashikimet dhe tani pohon se rritja ekonomike gjatë vitit 2021 në 27 vendet e BE do të jetë 4,2 përqind. Në shkurt parashikohej një rritje ekonomike prej 3,7%. Ndërsa për vitin 2022 parashikohet një rritje prej 4,4 % ndërkohë që më parë thuhej se rritja do të jetë 3,9 përqind.
Autoritetet e Brukselit tani janë shumë afër me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili parashikon një rritje ekonomike në zonën e euros në nivel prej 4.4 përqind.
Niveli i para krizës më shpejt sesa pritej
Brukseli ishte i mendimit më parë se ekonomia e BE nuk do të arrijë nivelet e zhvillimit ekonomik para pandemisë deri në vitin 2022. Në deklarimet e deritanishme janë marrë parasysh kufizimet e deritanishme për shkak të pandemisë Corona. Por rritja ekonomike nxitet edhe nga konsumi privat, investimet dhe një kërkesë në rritje për eksportin e mallrave nga BE në vende të tjera.
Komisioneri Gentiloni tha se rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë botërore si dhe Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike janë ndër arsyet kryesore për zhvillimet pozitive. Falë Fondit prej 750 miliardë euro, investimet në prodhim mund të arrijnë nivelin më të lartë në dhjetë vitet e fundit.
Komisioneri i BE për Ekonominë, Paolo Gentiloni
Gjendja në Gjermani më e mirë nga sa pritej
Sipas Komisionit të BE, Spanja mund të shpresojë rritjen më të madhe ekonomike gjatë vitit 2021, me rreth gjashtë përqind. Franca gjithashtu mund të ketë një rritje të lartë me rreth 5,7 përqind. Një rritje më të vogël ekonomike mund të kenë Holanda (2,3 përqind) ose Gjermania (3,4%). Por pasojat e pandemisë Corona në këto dy vende kanë qenë më të vogla sesa në vendet e tjera.
Shoqata e Industrisë Gjermane (BDI) pret që ekonomia të rritet ndjeshëm këtë vit. "Ne presim që prodhimi industrial në Gjermani të rritet me tetë përqind në vitin 2021", deklaroi të mërkurën drejtori i BDI Joachim Lang. Kjo do t'i japë fund recesionit më të gjatë në industrinë gjermane që ka zgjatur për më shumë se dy vjet. Sipas raportit të BDI, prodhimi në Gjermani ka rënë në industri rreth 9,8 përqind vetëm gjatë vitit të kaluar.
Borxhi i vendeve anëtare të BE është në rrugën e një rekordi të ri. Deri në vitin 2020, borxhi i përgjithshëm i vendeve të zonës së euros ka arritur në 100 përqind të prodhimit ekonomik. Komisioni parashikon që sivjet borxhet në zonën e euros do të rriten në 102,4 përqind. Ndërsa në vitin 2022, niveli i borxheve do të bjerë në 100,8 përqind të prodhimit ekonomik. Borxhi i përgjithshëm i pritur i të gjitha vendeve të BE-së është pak më i ulët - 94,4 përqind i prodhimit ekonomik.
Greqia është ende në gjendjen më të keqe, me një pritje borxhi prej rreth 208,8 përqind gjatë vitit 2021. Në vendin e dytë është Italia me pak më pak se 160 përqind, e ndjekur nga Portugalia me 127 përqind. Edhe në Spanjë, Francë, Belgjikë dhe Qipro, borxhi tejkalon prodhimin ekonomik.
Brukseli pret që papunësia të arrijë kulmin e krizës gjatë vitit 2021. Për të gjithë BE-në, Komisioni pret një rritje të papunësisë prej 7,6 përqind. Vitin e kaluar papunësia ishte 7,1 përqind. Sipas parashikimit, situata në tregun e punës do të lehtësohet pak në vitin 2022, por papunësia nuk do të arrijë ende nivelin që ishte para pandemisë.
Sipas Komisionit, rreziqet për ekonominë do të mbeten, përderisa nuk tejkalohet hija e krizës së tanishme për shkak të pandemisë Corona. Niveli i infektimeve, por edhe efektet e vaksinimit mund të jenë ndër faktorët që influencojnë dukshëm edhe gjendjen ekonomike./ DW