Dy fjalë për Gramoz Ruçin

Dy fjalë për Gramoz Ruçin

Gramos Ruçi

Zoti Gramoz Ruçi, një ndër të paktit politikanë jetëgjatë në sferën parlamentare shqiptare, deklaroi publikisht në 30 vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste se “nuk do ta ushtroj më mandatin e deputetit në legjislaturën e re që nis në shtator të këtij viti”. Një gjë ishte pak po e sigurt: Gramoz Ruçi do të ishte sërish kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Por ai hoqi dorë vullnetarisht nga një mandat i dytë, që për nga rëndësia protokollare e shtetit, është numri dy në hierarkinë e funksioneve të larta në Republikën e Shqipërisë.

Rëndësia e fjalës merr kuptim kur ajo ka peshë, kur zë vend, kur thuhet në kohën e vendin e duhur. Kur shterpësia e mendimit hidhet në ambientin parlamentar e kudo gjetkë, si gaz toksik që nëpërmjet eterit ndot veshët dhe fyen inteligjencën e publikut, kemi të bëjmë me shpërdorim të fjalës.  Gramoz Ruçi i përket të parës, të dytën dihet botërisht kush e mbart si model.

Qenia e Gramoz Ruçit në Kuvend ishte garanci për opozitën, sepse autoriteti i tij i padiskutueshëm në grupin parlamentar të mazhorancës, nuk lejonte devijime nga rregullat e jetës parlamentare, ku të gjithë janë dhe duhet të jenë të barabartë.

Fakti që me ardhjen e tij si Kryetar i Kuvendi, u disiplinua prania e deputetëve ne seancat plenare të cilat filluan të nisin në orarin e caktuar, është shumë domethënëse.

Kuvendi i Shqipërisë ka pasur dhe do të ketë plot deputetë prej “kashte” që marrin “flakë” menjëherë për një fjalë goje, por deputetë “zjarrfikës” si Gramoz Ruçi, janë të rrallë. Ai hyn tek ata politikanë që sapo shohin një shkëndijë të vogël, vrapojnë të derdhin fuçinë me ujë për ta shuar. Ashtu siç dihet botërisht se cilët janë ata që i hedhin benzinë zjarrit të destabilizimit.

Përvoja e gjatë në politikë e bën deputetin më të matur, sepse vitet e përballin me situata të vështira politike, prej të cilave ai mëson për të mos gabuar. Prandaj Gramoz Ruçi nuk është parë kurrë që të ngrihet nga karrigia e të sulmojë kundërshtarët politikë; as që të përdorë fjalor jo etik kundrejt tyre; as që t’i përgjigjet “plumbit me plumb”; as që të nxisë të vetët në aventura politike. Gjithnjë i vetëpërmbajtur e parimor edhe kur kundërshtarët i kanë thënë fjalën e fundit të parën.

Sigurisht, jo të gjithë e kanë këtë fat për të qenë gjakftohtë atëherë kur gjaknxehtësia ka arritur kulmin. Kemi plot shembuj deri në shkurt 2019, që na dëshmojë se edhe jetëgjatësia në politikë nuk është gjithmonë e mjaftueshme për të qenë deputet dinjitoz. Bile shtatori do na i rikthejë sërish disa personazhe negative në këtë drejtim, të cilët mbeten të pandreqshëm edhe pse mosha, rrudhat dhe thinjat, duhet t’ia kishin ndryshuar disi karakterin e mbrapshtë.

Politikanë dhe deputetë si Gramoz Ruçi, që i kanë bërë nder shtetit në përgjithësi dhe parlamentarizmit në veçanti, meritojnë mirënjohjen e të gjithë atyre që Kuvendin e shohin si tempullin e demokracisë, vendin e debatit të shëndoshë e konstruktiv, të respektit për opozitën, të forcës së argumentit dhe të pasionit për të dhënë më të mirën për vendin dhe shoqërinë në tërësi. Prandaj gjithçka përmblidhet në një fjalë të vetme: Faleminderit Gramoz Ruçi!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja