Tirana ka vendosur një tjetër gurë të rëndë për titullin kampion në Superligë, pasi këtë javë ka mposhtur 1-3 Laçin kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje deri në mbyllje të sezonit. Në Kurbin bardheblutë zhbllokuan nga distanca falë golashënuesit Florent Hasani, ndërsa në pjesën e dytë ‘dopietë’ e mesfushorit Ardit Hila, një tjetër i munguar në derbi, vulosi 3 pikët pavarësisht golit të nderit nga Laçi.
Bardheblutë vijojnë të kryesojnë kampionatin me 2 pikë më shumë se Partizani ndjekës pavarësisht se të kuqtë mposhtën 2-1 Vllazninë në ‘Arenën e Demave’ në kryeqytet. Të besuarit e Colella-s realizuan fillimisht me Rrapajn, ndërsa po brenda pjesës së parë Eljon Sota dyfishoi. Në pjesën e dytë shkodranët ngushtuan diferencën me Balajn, por goli nuk vlejti më shumë se sa për statistikë.
Kjo humbje i rrezikon edhe vendin e katërt Vllaznisë, pasi Teuta është ngjitur në vendin e pestë falë fitores 1-0 kundër Kastriotit. Për durrsakët të cilët tani tentojnë europën golin 3 pikësh e realizoi Beqja në pjesën e parë, ndërsa për Kastriotin kjo ishte një goditje e rëndë në luftën për mbijetesë.
Kjo edhe sepse Bylisi ia doli të merrte një pikë kundër Kukësit. Ballshiotët edhe pse kaluan në avantazh në minutën e 89 në fund ndanë pikët me një barazim 1-1 kundër verilindorëve. Pas golit të Zguros ky i fundit u ndëshkua me të kuq, duke lënë ekipin me 10 lojtarë, ndërsa Kukësi në minutën e 102 gjeti baraspeshën po me penallti të realizuar nga Taipi.
Kjo javë ka shkuar keq për Erzenin. Pas largimit të trajnerit Kapllani shijakasit këtë herë janë mposhtur 3-2 nga Egnatia. Për pasojë Erzeni renditet në vendin e tetë me vetëm 2 pikë më shumë se Bylisi i vendit të nëntë. Nga ana tjetër ky për Egnatian ishte një rezultat historik, pasi kur kanë mbetur edhe 2 javë kampionat ka siguruar matematikisht pjesmarrjen në Kupat e Europës. Diçka e cila ndodh për herë të parë në historinë e rrogozhinasve.