Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e nderimit me titullin "Doctor Honoris Causa" të dy vëllezërve të famshëm, Nicolas dhe Olivier Berggruen, filantropë me rrënjë shqiptare, nipër të Aleksandër Moisiut, emrin e të cilit mban sot edhe Universiteti i Durrësit.
Ceremonia u zhvillua në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, ku gjatë fjalës së tij kryeministri Rama vlerësoi punën e Nicolas dhe Olivier Berggruen në fushën e artit, mendimit filozofik dhe në promovimin e dialogut në botë.
Teksa foli për Aleksandër Moisiun, kryeministri Rama tha se ishte njohur me të në studion e skulpturave të të atit të tij.
Rama duke treguar një mit për Nicolasin, ku ai pasqyrohej si një miliarder pa shtëpi, tha se kishte ngjashmëri me të, pasi në rininë e tij, sipas kryeministrit, edhe ai vetë nuk preferonte që të kishte një shtëpi të tijën, por donte të lëvizte i lirë në mbarë botën.
“Kemi ardhur për të festuar trashëgiminë e një personi shumë të veçantë. Më lejoni ta filloj fjalën time me një paradoks të shoqërisë time. Babai im besonte se atelieja e tij nuk ishte kënd lojërash për fëmijët. Kështu që më lejohej që të hyja në studion e babait tim shumë rrallë, shumë pak herë, kur ftohej edhe nëna ime që të shihte ndonjë skulpturë të përfunduar. Aty për herë të parë unë u përballa me figurën e gjyshit të këtyre dy zotërinjve të nderuar, vetë Aleksandër Mojsiut. Ajo që unë pash ishte një skulpturë prej balte të cilën babai im po e punonte me shumë përkushtim. Me durimin për të kapur një personalitet më të madh se vetë jeta dhe se vetë materiali, i cili kishte lindur në Shqipëri, por që lulëzoi në Vjenë. Ishte në fakt fytyra që babai im preferonte më shumë, sepse është një fytyrë shumë ekspresive.
Kështu që kjo fytyrë u bë edhe formati im për më pas, pra për mendimin që do të kisha unë më pas, sesi do të duhej të dukej një aktor. Prandaj zakonisht s’më pëlqenin aktorët e realizmit socialist, sepse ata nuk kishin këtë peshë tragjike si fytyra e Aleksandër Moisiut. Dhe kur dikush i afrohej fytyrës së tij, mua më pëlqente. Dhe pastaj erdhi zëri i tij, një zë i mrekullueshëm. Dhe ky ishte për ne Aleksandër Moisiu, statuja, fytyra, zëri. Por më shumë sesa aq, ai ishte edhe përfaqësuesi më i mrekullueshëm dhe mbresëlënës i një njeriu që e kapërceu origjinën e tij, pa e braktisur atë. E një njeriu që u bë ikonë europiane e teatrit, duke mbetur i lidhur me vendin prej nga vinte. Sot ne jemi mbledhur në këtë Universitet, që me krenari mban emrin e tij. Për të mirëpritur 2 individë që janë këtu sot me ne dhe që janë pasardhësit e tij. Në mënyrën e vetë secili prej tyre vazhdon në të njëjtin rrugëtim. Pra janë diku, ndërkohë që i përkasin edhe dikujt tjetër.
Dëgjova për herë të parë një tip miti. Përmes një miti që nuk ishte i bazuar në lajme të rreme, por në realitet. Nikolasin ma prezantuan si emër, si një miliarder pa shtëpi. Pra ishte miliarder, por nuk kishte shtëpi. Flinte nga një hotel në tjetrin. Një gjë që e kam bërë edhe unë deri kur u martova. Kur u martova njëherë e mirë. Sepse ideja ime fillestare ishte ‘unë jam shtëpia ime’. Nuk e di nëse Nikolas i dashur tani ke shtëpi. Titulli i Nicolas Berggruen në shenjë njohjeje për kontributet e tij të jashtëzakonshme ndërkombëtare, për mendimin filozofik, politik dhe shoqëror, si dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm për promovimin e dialogut global. Titulli i jepet Olivier Berggruen për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e artit”, tha mes të tjerash Rama.
Komente











