Dy vite pa mandat, Avokati i Popullit mbetet peng i politikës! Asnjë iniciativë nga PS e PD, burime nga palët: Jo diskutim konkret

Që prej 22 majit të vitit 2022, kur Erinda Ballancës i përfundoi mandati, politika nuk ka gjetur numrat dhe konsensusin për t’i dhënë vendit Avokatin e Popullit me mandat të plotë.

Çështja e një prej institucioneve kushtetuese më të rëndësishme në aspektin e të drejtave të njeriut, duket se nuk do të ketë dritë në fund të tunelit as pas thirrjes publike të ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato  10 ditë më parë, i cili e cilësoi emergjente zgjedhjen e një emri të ri. Mazhoranca e opozita nuk duket ta kenë në prioritetet dhe axhendën e tyre të afërt. 

Të pyetur nga Report TV, dy krerët e grupeve parlamentare të partisë socialiste dhe asaj demokratike, Bledi Çuçi e Gazment Bardhi thanë se nuk ka ende asnjë diskutim konkret mes tyre për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. 

Prej muajsh mes palëve nuk ka diskutime për një emër të ri, e me shumë gjasë ky sesion parlamentar do të mbyllet pa një emër të ri të Avokatit të Popullit.

Në dhjetor të 2022-shit, mazhoranca rrëzoi me votë në kuvend emrin e Ledio Brahos si propozim të opozitës, me argumentin se Braho në drejtim të këtij institucioni do të ishte zgjatim i Partisë Demokratike për shkak të angazhimeve në këtë forcë politike.  Ky votim e nisi procesi në pikën zero dhe verifikimi i kandidaturave rifilloi

Në sirtarët e kuvendit, në pritje të dakordësisë politike për 84 votat e nevojshme qëndrojnë emrat 7 kandidatëve të cilët kanë siguruar mbështetjen e 28 deputetëve të kuvendit, ashtu siç parashikon ligji.

Emra me një karrierë të spikatur në sistemin e drejtësisë dhe avokatisë si Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Dardan Mustafaj, Besim Ndregjoni , Erald Aga dhe Edison Frangu janë emrat që kanë marrë mbështetjen e deputetëve dhe kanë realizuar edhe dëgjesat publike në komisionin e ligjeve, duke përmbushur të gjitha kriteret ligjore për drejtimin e këtij institucioni.

Megjithatë në rast se nuk do të ketë dakordësi mes palëve për asnjë nga emrat e mësipërm, këta të fundit do të duhet të rrëzohen me votë në parlament, çka do të pasonte rinisjen e procesit nga e para, nga thirrja për aplikime, tek dëgjesat, negociatat mes palëve e më pas votimit të një emri konsensual.

Ligji parashikon se avokati i popullit zgjidhet jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose data e shkarkimit, dhe Komisioni i Ligjeve shpalli vakancën që më 30 mars të 2022-shit. Pas më shumë se dy vitesh, Erinda Ballanca, në mungesë të një emri të ri që ta zëvendësojë, vijon të ushtrojë detyrën si Avokat i Popullit, edhe pse me mandat të përfunduar.

K.M/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?