Më vonë ajo na shoqëron për tek "oda", dhoma e vogël modeste e hallës së saj nga ku vinte kjo melodi. Hai, siç e njohin, e cila megjithëse ishte e sëmurë e shtrirë në shtratin e saj, na buzëqesh me një gëzim prej fëmije. Nisim të bisedojmë me të dhe habitemi kur nga memoria e shpirtit të saj dalin poezi dhe këngë pafund. Këto motive i interpreton përmendësh në kushtet e frymëmarrjes së rënduar.
Mësojmë nga mbesa e saj Monda Hoxha që kishte dy muaj në gjëndje shtrati. Megjithatë ngazëllimi i brendshëm erdhi natyrshëm kur na takoi si bashkë vlerësues të artit me të njëjtat antena shqisore. Hai, tërë jetën e saj e ka dashuruar artin e muzikës, pasi ajo kish një zë melodioz dhe shpesh e thërrisnin nëpër koncerte edhe pse profesioni i saj ishte rrobaqepëse "stiliste" e njerëzve të rëndësishëm të kohës. Në mur qëndron dhe një vlerësim i quajtur "Dipllomë" dhënë nga autoritet lokale të para shumë viteve.
Në dhomën e ngushtë ku qëndron, rrethuar nga fotografitë e familjes , portreti i saj rinor e i buzëqeshur me sytë ëndrrimtarë të përfshin menjëherë. Teksa fillon të mërmërijë këngët e pëlqyera në rini, si "O bylbyl, o më i bukuri i shpendëve " ose " Kur perëndon dielli ", ndihet një ngazëllim i brendshëm që e bën të na largojë në një tjetër përjetim. Harresa nuk ia del dot të mbulojë shpirtin e qeshur e të talentuar të Dylbere Hoxhës. Kjo zonjë e mbështetur mbi jastëkun e shplodhjes nga mundimet , sapo dëgjon të flitet për muzikën, menjerë çelet në fytyrë dhe impostohet në krevat, ashtu si një soprano profesioniste në skenë.
Nën këtë lagështirë të banesave të pa mirëmbajtura, ajo na kujton fenomenin e harresës në gjallje të aktores së njohur Antoneta Papapavli në shtëpinë e saj ose izolimin e këngëtares lirike të persekutuar Safet Sokoli, të cilës iu ndalua shansi i interpretimit mbi skenë. Hai kujton me nostalgji aventurën e leximit të romaneve të letërsisë ruse dhe franceze. Ajo ka udhëtuar mes librave me imagjinatën e lirë, duke e parë veten brenda kostumit të Ana Kareninës ose Zonjës Bovari.
Është përkundur në lisharësen e ndjesive nga Viktor Hygoi ose Leon Tolstoi duke u zgjuar e kënduar mbrapa skenave shqiptare me Bik Ndojën e Shyqyri Alushin e duke bashkuar fillin e qëndismave me fjalët e muzikën romantike. Rizgjimi i ëndrrave dhe dëshirave të kësaj jete të jetuar mes kufizimeve e ndalesave të sistemit dhe mendësisë së kohës, na dhuron një emocion të bukur por të dhimbshëm. Humbja e shanseve të njerëzve pasionantë nga njëri brez në tjetrin, me ndjeshmëri artistike duket sikur fatmirësisht po ndalet së përsërituri në Shqipëri.
Sot njerëzit me vlera mund të prezantohen para publikut në programet televizive për talentet, emisjonet radiofonike për kulturën ose artikujt e botimet në portalet e gazetave e revistave në internet. Duke ecur në kopshtijen e rrethuar nga pemë hurmash të pjekura që bien, me qitro e agrume të tjera si dhe dy pemë dafine që parfumojnë ajrin rrotull kësaj shtëpie të vjetër mbi 100 vjeçare; ndihet "shpirti i pasur" dhe ngrohtësia njerëzore.
d.c./shqiptarja.com