DELVINE - Policia ka ushtuar sot një kontroll në banesën e Avni Veizit në Delvinë. Ky i fundit është vjehrri i Klement Balilit, i shpallur në kërkim, duke qene se dyshohet se është koka e trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria, drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ky aksioni i policisë është zhvilluar pas dyshimeve se në banesë fshihej vetë Balili, i cili njihet ndryshe me nofkën “Eskobari i Ballkanit”. Uniformat blu nuk kanë mundur ta gjejnë të shumë-kërkuarin, por e kanë kthyer gjithsesi përmbys banesën për të gjetur prova.

Vjehrri i Balilit për Report Tv: Policia pa mandat kontrolli, shkatërruan shtëpinë
Avni Veizi, vjehrri i Klement Balilit, ka folur për Report Tv pas kontrollit të ushtruar nga policia në banesën e tij në Delvinë, për gjetjen e të shumëkërkuarit. Veizi thotë se kur ka shkuar në shtëpi e ka gjetur banesën të rrethuar nga policia. Sipas tij, blutë kanë shkatërruar dyert dhe dritaret e shtëpisë në momentin e bastisjes. 

“Më njoftuan se ka ardhur policia në shtëpi. Shkoj dhe e gjej shtëpinë të rrethuar. Nuk kishin as mandat e asgjë. Kanë hyrë në shtëpi, kanë dhunuar banesë, kanë shqyer portat, dritaret e kanë bërë aty një zallamahi të madhe. Kanë shkatërruar shtëpinë. 

Në kërkim të Klement Balilit, të dhëndrit tim. Nuk më dhanë asnjë lloj shpjegimi. Kur kam shkuar unë, i gjeta brenda në shtëpi. Si mund të futen pa mandat? Jemi të sëmurë, me tension e me probleme e vijnë e bëjnë këto”, tha Avni Veizi në lidhjen telefonike për Report Tv.    

s.k/Shqiptarja.com