Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e mori një vendim për Irena Gjokën mbledhjen e 30 janarit, nëse gjyqtarja e GJKKO ka fshehur apo jo një dënim në Greqi në vitin 2005 dhe çështjen ia kaloi me ankim Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
3 javë më vonë vetë Artur Metani ka vendosur nisjen e hetimit disiplinor për magjistraten, edhe pse ankimin e KLGJ se i takonte atij dosja nuk e ka pranuar.
Marrjen në hetim të dosjes, ILD e ka nisur me iniciativë për shkak të informacioneve të dala publikisht si dhe në dy ankime të mbërritura në adresë të tij nga eksponentë të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit dhe Adriana Kalaja.
Report Tv ka mësuar përmes burimeve se Inspektori i Lartë i Drejtësisë e argumenton nisjen e hetimit disiplinor me dyshimin e arsyeshëm se mund të jemi përpara një shkelje nga ana e gjyqtares Gjoka. Përmes një letre që Report Tv ka siguruar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani njofton Bardhin për vendimin, dhe i lë 3 javë kohë për të dorëzuar pretendimet.

Duke u bazuar në verifikimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme se në vitin 2005 ka pasur një dënim penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, ILD thotë se gjyqtarja ka pasur detyrim ligjor të deklarojë më shumë se një herë të dhëna që lidhen me pastërtinë e figurës, përfshirë dhe të dhëna në lidhje me dënime penale.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se mosdeklarimi i të dhënave për të cilat magjistrati ka detyrim t'i deklarojë përbën sjellje që diskrediton pozitën dhe figurën e magjistratit dhe dëmton besimin e publikut në sistemin gjyqësor. Bazuar mbi këto dyshime ka nisur hetimin disiplinor duke kërkuar dokumentacionin e plotë nga KLGJ, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe SPAK, që ka nisur hetim. Kujtojmë se vetë gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka në një letër drejtuar KLGJ-së, mohonte të kishte dijeni për dënimin, përmes një procesi që është bërë totalisht pa prezencën e saj.
Sa i përket ankimit të sjellë nga ana e një anëtari të KLGJ, Klodian Kurushi, në drejtim të ILD, Metani e ka konsideruar të papranueshëm dhe ka vendosur arkivim. Metani thotë se procedimi disiplinor, që kryhet nga ana e tij, nuk mund ta zëvendësojë mekanizmin e verifikimit dhe kushteve të pa pajtueshmërisë në detyrë që bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në kuadër të dekriminalizimit. Për më tepër që KLGJ është institucioni që mund të përfshijë edhe Prokurorinë e Përgjithshme, siç ka ndodhur në rastin e gjyqtares Irena Gjoka. si autoriteti përgjegjës për verifikim të specializuar, duke kërkuar informacion dhe në institucione jashtë vendit.
Madje Metani ngre një shqetësim tjetër sa i përket procedurave që në fund do të vendosin fatin e togës së zezë të GJKKO. Sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, praktika administrative e ndjekur nga KLGJ në rastin e Gjokës, jo vetëm që nuk respekton ligjin për ndarjen e kompetencave brenda vetë organeve të sistemit të drejtësisë, por ka krijuar rrethanat që rast se ILD u çon kërkesën për masë disiplinore ndaj magjistrates ata të jenë në kushtet e papajtueshmërisë. Kjo pasi janë njëkohësisht edhe në cilësinë e ankuesit edhe në cilësinë e organit zhvillues dhe vendimmarrës të procedimit disiplinor.
Më 30 janar, 6 anëtarë të KLGJ votuan kundër një projektvendimi që e çonte çështjen në Komisionin e Karrierës, me argumentin se vendimmarrja i takon ILD. Vetë magjistratja Gjoka në një letër që i pati dërguar KLGJ shprehet e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit vendimin e Gjykatës së Janinës së korrikut 2005. Ajo shpjegon se vetëm i është refuzuar pa shpjegime hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka patur dijeni as për procesin dhe as vendimin gjyqësor, i cili sipas vetë ligjeve greke është arkivuar dhe asnjëherë nuk mori vendim të formës së prerë. Po për këto arsye ajo deklaron se nuk është në kushtet ligjore ku funksioni i saj si gjyqtare, mund të vihet në dyshim.
Tashmë do të jetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë që do të arrijë në një përfundim sa i përket Irena Gjokës, nëse ka pasur apo jo shkelje të ligjit. Nëse gjen veprime të kundraligjshme nga ana e magjistrates atëherë do t'i duhet të kërkojë masa disiplinore (që nisin nga ulja e pagës e deri te shkarkimi) po në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Është po 'qeveria' e gjyqësorit që në fund vendos.
Komente













Nje zonje dinjitare ne sistem duan ta bejne pis se ka marre persiper te beje drejtesine e vertete kunder kucedres se 21 janarit,gerdecit,privati ime per familjen kryeministrore
PërgjigjuNëqoftëse kjo zonjë pezullohet ta gëzojmë drejtësinë e PLEPAVE të Salioviçit..
Përgjigju