Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, është përfshirë sërish në polemika pasi janë ngritur akuza të reja se në vitet ’80 ka bashkëpunuar me shërbimin sekret të ish-Jugosllavisë.
Çështja u rikthye në vëmendje nga eurodeputetja sllovene Romana Tomc, e cila tha se ka siguruar prova të reja dhe i ka dërguar një letër Komisionit Europian duke kërkuar që të hetohet rasti.
Tomc deklaroi se Kos nuk ka qenë e sinqertë kur ka mohuar më herët çdo lidhje me shërbimet sekrete.
“Kos nuk ishte e sinqertë kur pretendoi se nuk kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret… Duhet të bëjmë diçka me këtë informacion”, tha eurodeputetja
Sipas saj, dokumentet e reja janë paraqitur edhe në Parlamentin Europian në Strasburg. Tomc prezantoi një libër të autorit slloven Igor Omerza, ku sipas saj përfshihen dokumente që pretendohet se tregojnë lidhje të Kos me shërbimin sekret jugosllav.
Një zëdhënës i grupit të Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian tha se çështja do të shqyrtohet.
“Romana Tomc e ka mbajtur grupin e PPE-së të informuar për zbulimet e fundit lidhur me komisioneren Marta Kos. Grupi do ta shqyrtojë çështjen me kujdes. Për momentin vërejmë se komisionerja nuk i ka mohuar këto zbulime të reja. Tani topi është në fushën e saj”, tha zëdhënësi.
Nga ana tjetër, një zyrtar i Komisionit Europian theksoi se Kos ka kaluar të gjithë procesin e verifikimit përpara emërimit si komisionere.
Ai shtoi se “ajo kaloi një proces të gjerë dhe të detajuar verifikimi për t’u bërë komisionere” dhe se Parlamenti Europian e miratoi emërimin e saj “në të njëjtin proces si të gjithë 27 komisionerët”.
Ndërkohë një person pranë zyrës së komisioneres tha se Kos është e vetëdijshme që kundërshtarët politikë mund të përdorin akuza të tilla në prag të zgjedhjeve në Slloveni.
“Ajo është shumë e vetëdijshme që kundërshtarët politikë do të përdorin gjëra të tilla për të fituar pikë në zgjedhje, por është e fokusuar plotësisht në detyrën e saj si komisionere për zgjerimin”, tha burimi.
Vetë Kos i ka mohuar më herët këto akuza gjatë seancës së konfirmimit në Parlamentin Europian në vitin 2024.
“Unë nuk kam qenë kurrë bashkëpunëtore apo informatore e shërbimit sekret të Jugosllavisë”, u shpreh ajo atëherë, duke i cilësuar pretendimet si “gënjeshtra” dhe “dezinformim”.
Debati ka marrë edhe më shumë vëmendje pasi Sllovenia do të mbajë zgjedhje më 22 mars. Marta Kos ka qenë më parë pjesë e koalicionit liberal të majtë në qeveri, ndërsa Romana Tomc i përket Partisë Demokratike Sllovene të djathtë, e cila aktualisht kryeson në sondazhe.
Komisionerja pritet të dalë të hënën para komisionit për punët e jashtme të Parlamentit Europian për të diskutuar zgjerimin e BE-së, ku ka gjasa të përballet edhe me pyetje për këto akuza.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











