Shqipëria është në pararojë të integrimit, konfirmoi këtë të mërkurë Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian Marta Kos, teksa shtrëngoi duart në një takim në Bruksel me Ministrin e Jashtëm Ferit Hoxhën.

"Shqipëria është një nga vendet në krye të procesit të anëtarësimit në BE. Kjo vjen me pritshmëri të larta. Tani është i nevojshëm zbatimi i besueshëm të standardeve të ndërmjetme për Shqipërinë, për të ruajtur vrullin në negociatat e pranimit. Ky është një hap i rëndësishëm për të arritur standardet e BE-së për sundimin e ligjit, anti-korrupsionin dhe demokracinë",- tha Kos.

Që Shqipëria ka vendosur objektiva ambicioze për integrimin, e evidentoi edhe një raport mbi zgjerimin, i miratuar po këtë 11 mars në Parlamentin europian.

"Vende kandidate si Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave. Kjo duhet të inkurajohet kur përputhet me reforma të prekshme",- thuhet në raport.

Raporti i miratuar të mërkurën me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime, thotë se zgjerimi i BE duke pranuar vendet kandidate, duhet të jetë një përgjigje strategjike ndaj sfidave të reja, në kushtet e një realiteti të ri gjeopolitik, e përballë disa vatrave të konflikteve në botë.

Ky raport thekson se kostoja e mos-zgjerimit do të ishte më e madhe sesa kostoja që do t’i vinte unionit nga pranimi i vendeve kandidate.

"Kostoja e moszgjerimit do të tejkalonte atë të pranimit, duke rrezikuar krijimin e zonave gri gjeopolitike të ndjeshme ndaj ndikimit të keq",- thuhet në raport.

Ndërsa eurodeputeti lituanez, Petras Auštrevičius, raportues në komision tha se BE duhet të heqë bllokimet politike për mbylljen e negociatave.

"BE-ja duhet të përmirësojë procesin e pranimit duke adresuar bllokimet politike, veçanërisht ato që lidhen me hapat e ndërmjetëm, siç janë hapja dhe mbyllja e grupeve dhe kapitujve të negociatave. Zgjidhja jonë e propozuar është përdorimi në rritje i votimit me shumicë të kualifikuar",- thotë Auštrevičius.

Shqipëria i ka hapur në pak më shumë se 1 vit negociatat për të gjitha grup-kapitujt. Hapii rradhës është miratimi i raportit të ndërmjetëm i cili do të krijonte mundësinë që vendi të niste procedurat për mbylljen e grupkapitujve, brenda 2027.