Kosova ka humbur një vit të tërë nga paraliza politike. Kështu thuhet në draft-raportin vjetor për Kosovën në Parlamentin Evropian, ku shprehet keqardhje që Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Dokumenti i cituar nga mediat kosovare, përshëndet formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por thekson se dështimi për zgjedhjen e presidentit e çoi vendin drejt zgjedhjeve të reja. Në draft merret parasysh edhe dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërbërjen e Kuvendit.

Raporti është përgatitur nga eurodeputeti Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian. Në të thuhet se viti i kaluar u shënua nga bllokimi politik dhe se 2025 konsiderohet praktikisht një vit i humbur për vendin.

Në të njëjtën kohë, dokumenti përshëndet heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës që nisën në maj të vitit të kaluar dhe kërkon që edhe masat e mbetura të hiqen menjëherë, pasi nuk konsiderohen më të justifikuara dhe vazhdojnë të kenë ndikim negativ në shoqërinë kosovare.

Draft-raporti mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën u bëhet thirrje të ecin drejt njohjes, në mënyrë që vendi të përparojë njësoj si kandidatët e tjerë.

Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, raporti thotë se procesi ishte praktikisht “i fjetur” gjatë vitit 2025, pasi Kosova nuk kishte një qeveri me mandat të plotë dhe negociatat në atë formë nuk kishin perspektivë.

Megjithatë, dokumenti rikujton se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura mbeten pjesë kyçe e rrugës evropiane të Kosovës. Në këtë kuadër kërkohet angazhim konstruktiv nga të dyja palët për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, të bazuar në njohje reciproke dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Palëve u kërkohet gjithashtu të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu, përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe heqjen e kundërshtimit të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Draft-raporti do të diskutohet javën e ardhshme në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ndërsa më vonë gjatë vitit pritet të votohet në seancë plenare, kur dokumenti do të marrë edhe formën përfundimtare të rezolutës.