Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Lezhës, pasi dyshohet se kanë vjedhur nën kërcënimin e një pistolete lodër xhiron ditore dhe një sasi parash në dy pika karburanti në Kukës dhe Lezhë.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se dy personat e arrestuar janë banues në Mamurras, të moshave 30 dhe 23 vjeç.

Po ashtu, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale pistoletën me të cilën ishin 2 të arrestuarit kishin kërcënuar punonjësit e karburanteve.

Ndërkohë teksa po punohet për kapjen e personave të shpallur në kërkim, materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

1769169270_WhatsAppImage20260123at12.35.53PM1.jpeg

Njoftimi i Policisë:

Lezhë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

Zbardhen dy vjedhje të xhiros ditore dhe të një sasie nafte në dy karburante në territorin e Kukësit dhe të Lezhës.

Vodhën nën kërcënimin e një pistolete lodër, lekë dhe naftë në dy karburante, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të këtyre rasteve.

Sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, pistoleta lodër me të cilën këta dy shtetas kërcënuan punonjësit e karburanteve.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Kukës, menjëherë pas njoftimeve të marra se në autostradën “Milot-Morinë” dhe në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër” dy shtetas të paidentifikuar, nën kërcënimin e një sendi në dukje pistoletë, kanë vjedhur shuma parash (xhirot e turnit) dhe një sasi nafte, kanë organizuar punën për zbardhjen e këtyre rasteve, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i hetimeve intensive të kryera nga strukturat hetimore të dy drejtorive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, u bë e mundur zbardhja e dy vjedhjeve të kryera, identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve E. N. alias E. Ll., 30 vjeç, dhe A. L., 23 vjeç, të dy banues në Mamurras.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. L., Policia gjeti dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, një pistoletë lodër, me të cilën dyshohet se këta shtetas kanë kërcënuar punonjësit e dy karburanteve për të kryer vjedhjet.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se rreth orës 21:15 të mbrëmjes së datës 21.01.2026 dhe rreth orës 00:30 të mëngjesit të datës 22.01.2026, këta shtetas, duke kanosur me armë lodër pistoletë, dy punonjës të dy karburanteve në autostradën “Milot-Morinë” dhe në aksin “Lezhë–Shkodër”, kanë vjedhur shuma parash (xhiron e turnit) dhe, në njërin prej këtyre karburanteve, kanë marrë edhe një sasi nafte.

Punohet intensivisht për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.