Kjo e fundit e kishte numrin e protokollimit 401.
I drejtohej ministrit të Jashtëm Nesti Nase dhe ra në duart e këtij të fundit dy ditë më pas, në 19 nëntor.
Teksti i letrës shoqëruese qe ky: “Bashkëngjitur ju dërgojmë dokumentet mjekësore të shokut Hysni Kapo, të cilat u tërhoqën nga ana e jonë në spitalin “Broussais”, ku ishte shtruar. Mendojmë se këto dokumente kanë vlera arkivale, për këtë qëllim u tërhoqën nga arkiva e spitalit të sipërmë”.
Shënimi mbi letrën përcjellëse “Mendoj të dërgohen me shkresë në K.Q.P.” , pra në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, datuar më 19 shtator 1980, të lë përshtypjen e parë se kjo procedurë është mbyllur me rrugën nisëse Ambasada Shqiptare në Paris dhe mbërritëse në Tiranë: selia e KQ të PPSH-së.
Mirëpo për afro dy vite, deri në 22 korrik 1982, dosja e plotë mjekësore e Hysni Kapos, e marrë prej spitalit parisian “Broussais”, ku ai u kurua dhe ndërroi jetë në 23 shtator 1979, qëndroi në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Nesti Nase, titullari i këtij institucioni, edhe pse një shkresë për përcjelljen e pakos dokumentare për në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë u bë gati nga administrata vartëse, nuk u firmos kurrë prej tij.
Enigma e këtij qëndrimi si edhe një grumbull i tërë ngjarjesh të tjera, një pjesë e tyre shumë e hetuar dhe e debatuar në median tonë, mund të ndriçohet sadopak në rast se depërtojmë nëpër shtigjet e të së vërtetës historike dhe krahas saj, të intrigës politike që është luajtur mbi atë trup të pajetë.
Në jetën e Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore manipulimi mbi mënyrën e vdekjes së një udhëheqësi komunist, ku patjetër do të ketë elementë të vrasjes, në rastin e Mehmet Shehut është kulmor dhe të Nako Spiros tepër e ngulitur në kujtesën e opinionit tonë publik. Ndërsa në rastin e dytë vetëvdekja me vrasjen ndahen në mënyrë të barabartë, në atë të kryeministrit shqiptar ka pothuaj katër dekada ku përkrahësit e tezës së likuidimit të dhunshëm fizik janë në hegjemoni të plotë.
Vdekja e Hysni Kapos mban vendin e tretë në përmasën e debatit nëse është apo jo jetëhumbje natyrore.
Mes atyre që e shtyjnë interpretimin e vdekjes së tij si vrasje, madje më aktivët protagonistë, gjenden në rrethin e ngushtë të familjarëve.
Duke filluar nga e shoqja, partizania e vjetër Vito.
Enver Hoxha mes vdekjes së Mehmet Shehut dhe të Hysni Kapos
Në vjeshtë të vitit 1982 në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në sallat më të mëdha që kishin, u mblodhën kuadrot dhe veprimtarët më të shumtë të partisë-shtet dhe iu lexua një material i posaçëm, ku Enver Hoxha përsëriti me këmbëngulje se i duhej dhënë fund njëherë e përgjithmonë dyshimit se Hysni Kapo nuk pati vdekur prej një sëmundjeje të pashërueshme, por si pasojë e një vrasjeje nëpërmjet kurimit mjekësor.
Kur formuloi dhe shpërndau këtë ndërhyrje të tij ai nuk mund ta dinte se edhe për të, pas ndërrimit jetë, do të ndodhte e njëjta gjë. Edhe këtë herë burimi që do ta pluskonte në sipërfaqe të ndjeshmërisë së opinionit publik vendas do të qenë pjesëtarë të rrethit shumë të ngushtë familjar. Por pa mundur dot të krijojnë një grup ndjekësish, sado të vogël.
Në letrën e tij pothuaj urdhëruese Enver Hoxha kërkoi prej të gjithëve që të largonin nga mendja idenë se në fatin e Hysni Kapos kishte pasur ndikim një ndërhyrje e huaj agjenturore.
Autori i këtij shkrimi, ato kohë drejtor i pallatit të kulturës “Tekstilisti” në Berat, ka qenë i pranishëm në një mbledhje të tillë.
Sipas ditarit të Enver Hoxhës, ditën e hënë, në 27 shtator 1982, pa dy ditë plotësisht në tre vjetorin e vdekjes së Hysniut, shënohen këto fjalë: “Thirra Vito Kapon dhe i tërhoqa vëmendjen për çështjen se është përhapur në të gjithë vendin tonë sikur shokun Hysni Kapo e kanë vrarë dhe nuk paska vdekur nga kanceri. Kjo thënie nga dikush duhet të ketë dalë, i vura në dukje Vitos, por unë sot po të qortoj se ke qenë vetë ti që ke ardhur tek unë dhe më ke shprehur dyshimin se mos Hysninë e kanë vrarë. Të jam përgjigjur me këtë rast, duke u bazuar në shkencën mjekësore, se shkaku ose mikrobi i kancerit akoma nuk është zbuluar dhe ai nuk mund të inokulohet, ndryshe do t’i ishte gjendur ilaçi dhe, për t’ia arritur këtij qëllimi, po punojnë gjithë shkencëtarët e botës.
Pra, faktet vërtetojnë se Hysniu ka pasur kancer dhe nuk mund të shpëtonte”.
Në vjeshtë të vitit 1982, kur ndodhi kjo bisedë, qe në virulencë të plotë shkatërrimi i të gjithë përkrahësve dhe pasuesve të quajtur prej Hoxhës si grupi tradhtar i bashkëpunëtorëve të poliagjentit Mehmet Shehu.
Për ta kryer këtë spastrim gjer në fund qe montuar edhe ardhja në Shqipëri e një grupi të armatosur prej tre vetësh, me në krye Xhevdet Mustafën dhe në përbërje një informator të Sigurimit të Shtetit. Enver Hoxha e interpretoi këtë ngjarje si aksion për likuidimin e tij fizik dhe e deklaroi, si edhe e shkroi në libër-kujtimet e tij, se gjithçka qe vepër e Kadri Hazbiut, dorë e djathtë e Mehmet Shehut.
Tek analiza dhe njëkohësisht akuza politike kundër kryeministrit, “Tabloja Sinoptike...”, Hoxha pati ngulur këmbë fort se Shehu kishte marrë urdhër nga CIA dhe UDB që ta vrisnin nëpërmjet helmimit ushqimor. Në shtator 1982 ai me aksionin e Xhevdet Mustafës, të telekomanduar prej Sigurimit të Shtetit, donte të provonte para opinionit publik shqiptar, por edhe atij të huaj, aspak të bindur për çfarë pati ndodhur me kryeministrin shqiptar, se Kadri Hazbiu, i cili patjetër duhej hequr qafe dhe përfunduar në pranga, kishte vijuar planin vrasës së Mehmet Shehut, pra të agjenturës së huaj amerikano-jugosllave.
Me një zhvendosje zbarkimi nga pika e planifikuar, futur gabimisht në bregdetin e Divjakës në 25 shtator 1982, në datën njëzetë e shtatë Xhevdet Mustafa, në ndeshje me trupat e ushtrisë dhe të policisë, u vra në Rrogozhinë, shumë larg Tiranës.
Njëzetë e shtata është e njëjta ditë kur Enver Hoxha thirri dhe qortoi Vito Kapon, duke i lënë të qartë asaj të kuptonte se ato çaste me jo pak halle të tjera për të dhe regjimin, ngacmimi që i bënte fjalënajës për vdekjen me anë vrasjeje të të shoqit qe i patolerueshëm.
Në ditarin e tij Hoxha nuk shënon orën kur regjistron lajmin e parë, thirrjen e Vito Kapos. Po ashtu nuk shënon edhe çastin kur i mbërriti lajmi i likuidimit fizik të Xhevdet Mustafës. Për të me siguri nuk ka pasur ndonjë rëndësi cili qe më i pari për peshën e vet në opinionin publik të vendit.
Por që të dyja, të bashkuara, qenë tepër.
Enver Hoxha ishte i qartë se vrasja më e parë dhe më e fundit që synonin të huajt, në Lindjen komuniste të ishin apo në Perëndimin antikomunist, qe ai dhe vetëm ai. Madje Hoxha zotëronte mjaftueshëm informacion se planet për likuidimin e tij fizik nuk qenë në rend të ditës në SHBA apo tek vendet “kapitaliste” të europerëndimit, se një alternativë e tillë nuk mbahej e hapur as në Beograd, por patjetër në Moskë. Njëkohësisht ai e dinte që ky plan në letër kurrë nuk u aktivizua për realizim konkret, prandaj edhe luante në propagandë sikur ato tentoheshin, por ai i bënte të dështonin. Prandaj edhe kur, kur kishte ndonjë nevojë politike, këto operacione agjenturore për vrasjen e tij i shpikte.
Vrasja propagandistike, ajo e sajuar, e një udhëheqësi shqiptar qe monopol i Enver Hoxhës, spektakël ekskluziv për të. Sepse në fund të fundit kush synohej për likuidim fizik real konsiderohej element kyç i sistemit politik dhe shoqëror në Shqipëri dhe si i tillë qe tërësisht vetëm e vetëm ai. Shfaqja e domosdoshmërisë së vrasjes së një të dyti i pakësonte dritë dhe adhurim.
Vetëvrasja e Mehmet Shehut pothuaj një vit më parë se të thërriste Vito Kapon dhe niste letrën për informim të brendshëm, e pati shpëtuar Enver Hoxhën nga legjendarizimi që mund t’i ndodhte kryeministrit prej hovimit të ndonjë përfoljeje se këtij ia kishin marrë jetën agjencitë e huaja të spiunazhit. Kjo legjendë urbane do të buiste në pluralizmin e pas nëntëdhjetës, madje me të gjitha llojet e shkapërderdhjes së imagjinatës.
Sidoqoftë në dekadën e viteve tetëdhjetë ajo vdekje u ngurros në variantin zyrtar, i cili qe edhe i vërtetë. Vrasja e vetes e deheroizonte Shehun, ndërkaq që fjalënaja e nisur nga familja Kapo po tejheroizonte Hysni Kapon.
Gjallërimi i përfoljes se Kapo nuk pati ndërruar jetë natyrshëm, por për shkak të një komploti të kryer prej një aleance duarsh bashkëpunuese nga brenda dhe jashtë, binte njëherësh ndesh jo vetëm me interesat e vazhdueshme të Enver Hoxhës për t’u vetëmitizuar, por ato çaste edhe me një frymë të përgjithshme mobilizimi të brendshëm të PPSH-së si parti-shtet për të dërmuar deri në fund çdo lidhje të mbetur prej ish-kryeministrit, këtij njeriu tashmë pa jetë, por me reputacion të pavdekshëm.
Bashkë me Vito Kapon këmbëngul edhe Xhelil Gjoni
Vito Kapo, edhe pse formalisht ra dakord me çfarë i tha Enver Hoxha, nuk u bind kurrë. Pas vitit 1991 ajo iu rikthye bërjes publike të dyshimeve dhe të akuzave të saj.
Kështu mund të thuhet se për dyzetë vite resht ajo vazhdon të mos heqë dorë prej ngritjes së gishtit kallëzues rreth ekzistencës së një plani konspirativ për likuidimin e shokut të saj të jetës.
Janë shumë të dyshuar prej saj. Fillojnë me grupin e mjekëve francezë, vijojnë me Mehmet Shehun dhe Ramiz Alinë, po ashtu me Kadri Hazbiun apo Mihallaq Ziçishtin.
Prej një pjese të opinionit do të lexohej dhe interpretohej ky veprim i saj si dhimbje e përhershme dhe e natyrshme shpirtërore e një bashkëshorteje të devotshme, siç edhe Vito ka qenë dhe mbetet. Për të tjerë në gjallërimin e fjalëve të saj akuzuese gjatë vitit 1982 mund të ketë edhe një përpjekje për ta gjetur dorën e vdekjes së parakohshme të bashkëshortit të saj tek Mehmet Shehu dhe grupi i tij, ato kohë nën një goditje masive dhe ku ishte më e lehtë hedhja e fajit.
Do të kemi rastin në pjesët vazhduese të këtij shkrimi të interpretojmë si ndodhi që dosja mjekësore e Hysni Kapos më në fund, pas tri vitesh, u zhvendos prej arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në atë të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Por këto çaste të vëzhgimit tonë rreth të vërtetës së mundshme rreth jetëhumbjes së udhëheqësit Hysni Kapo, duke arsyetuar se Vito në veprimin e saj ngulmues për të gjetur jo vdekjen natyrore prej një tumori në pankreas, por të një dore qëllimisht vrastare, duke pasur forcë shtytëse edhe dhimbjen e paqetë njerëzore, gjithsesi kjo e fundit nuk rezulton të jetë realisht faktori i parë.
Të paktën nuk e ka këtë status interpretues pas 4 prillit 2016, kur Xhelil Gjoni, përfaqësuesi tjetër me emër i familjes Kapo dhe person me vetëdijë të spikatur politike, rrëfyes mjaft interesant i të kaluarës komuniste, pse jo edhe analist i qartë, i cili në gazetën “Panorama” deklaroi: “Nëse do të sjell në vëmendje një deklaratë të Nesti Nases, do të thosha se nuk përjashtohet dhe eliminimi i tij. Në gjyqin kundër Kadri Hazbiut, ish-ministri i Jashtëm, Nesti Nase tha se Andropovi, kreu i KGB-së dhe ministër i Brendshëm i Bashkimit Sovjetik, i ishte shprehur se rruga për të eliminuar Enver Hoxhën ishte duke eliminuar Hysni Kapon. Nestin nuk e detyroi kush ta thoshte këtë deklaratë në gjyqin që i bëhej atij”.
E kujtojmë një çast lexuesin se Nesi Nase ishte njeriu që për dy vite, deri sa u akuzua për tradhti dhe u hoq nga posti i Ministrit të Jashtëm, nuk e firmosi shkresën për dërgimin në Komitetin Qendror të PPSH-së (ku edhe e kishte vendin e duhur), të dosjes mjekësore të marrë në spitalin “Broussais” prej të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës Shqiptare në Francë, Kujtim Hysenaj.
Në po të njëjtën intervistë Xhelil Gjoni, i pyetur mos mjekët francezë të “Broussais” qenë të kompromentuar nga agjenturat e huaja dhe vepronin nën porosinë e tyre, u shpreh tekstualisht: “Herën e dytë, shoku Enver dërgoi Ramiz Alinë në Paris që të qëndronte pranë Hysni Kapos. Por rezultoi se Ramizi mori vajzën e tij dhe nuk u mor fare me Hysniun. Por di që Hysniu nuk e afroi fare, i qëndroi ftohtë”.
I palëkundur që vdekja e udhëheqësit të njohur komunist është vepër e fshehtë dhe tinëzare e kryer në Tiranë dhe në Paris, Gjoni shtoi: “Hysniu kishte kërkuar që të operohej në Shqipëri me Petrit Gaçen, por mjekët francezë këmbëngulën që ai të shkonte në Paris. Madje Petrit Gaçen e nxorën jashtë operacionit në Paris. Nuk të thonë gjë këto fakte ty??”
Vdekja propagandistike e Hysni Kapos si viktimizim?
Kur Enver Hoxha e thirri Vito Kapon dhe i tërhoqi rreptësisht vëmendjen që të mos përhapte fjalë se Hysniu pati ndërruar jetë prej një vrasjeje politike, por nga një sëmundje kanceroze e pashërueshme, dosja mjekësore kishte mbërritur në zyrën e tij në Komitetin Qendror.
Ai e kishte parë imtësisht atë edhe kur hartoi letrën për të gjithë strukturën e partisë së vetme dhe të shtetit komunist me porosinë që të mos besonin aspak se Hysni Kapon e kishin vrarë spiunazhe të huaja dhe ca më tepër qe viktimë në një luftë të brendshme për pushtet.
Atij mund t’i pëlqente shumë që këtë hamendje të shprehur nga bashkëshortja e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë ta përdorte për ta inkriminuar sa më shumë Mehmet Shehun. Megjithatë nuk e kreu. Hoxha me siguri atë kohë ka besuar se një përfolje e tillë e rëndonte shumë imazhin e tij dhe të PPSH-së dhe se pikërisht për këtë qëllim, shpjegimi se Hysni Kapo qe vrarë i shërbente tërthorazi Beogradit, në mos e kishte njërën prej enegjive shtyse këtë pikë gjeostrategjike antishqiptare në Ballkan.
Doemos që rigjallërimi i herë pas hershëm prej familjes Kapo i tezës se njeriu i dashur i tyre e ka humbur jetën nëpërmjet një atentati të sofistikuar hap shteg edhe dyshime të mëdha për rolin e vetë Enver Hoxhës në të gjithë këtë histori, çfarë do të thotë (pse jo?), gjithnjë sipas këtij qëndrimi këmbëngulës dhe asnjëherë të ndryshuar për katër dekada rresht, edhe pjesëmarrje e tij e qëllimshme në heqjen e çdo pengese për ta trashëguar postin e numrit një të Shqipërisë Ramiz Alia.
Kjo hipotezë, pra edhe prania konspirative e vetë Enver Hoxhës në vdekjen e Hysni Kapos, e shndërron ngjarjen, eche pse në mënyrë disi të sforcuar, në njërën nga intrigat më të mëdha dhe më befasuese, prej më tronditëseve, të periudhës komuniste në Shqipëri.
Veç që kjo të bëhet një e vërtetë historike duhet shumë mund dokumentar, mjaft lëndë argumentuese dhe provuese, sepse ndryshe vdekja e Kapos ka gjasë të ngulitet në kujtesën kombëtare dhe në vetëdijën e shqiptarëve si një blof ose, thënë më zbutur, si një shpërdorim tjetër politik i saj, si një manipulim dhe si krijim propagandistik për të fituar familjarisht, edhe kur nuk e kanë më themeluesin e tyre, porcione të tejmëdha të vëmendjes publike.
Ka po ashtu njerëz që mendojnë se një proces i tillë viktimizimi i Hysni Kapos kryhet për ta lehtësuar atë prej përgjegjësisë së një roli të ndjeshëm në diktaturë dhe me këtë rast, në dobi të brezave pasues të familjes, për ta përshtatur dhe akomoduar atë me pluralizmin,
Redaksia online
a,n shqiptarja.com