Vetëm 24 orë ka qëndruar në ambientet e burgut të Pojskës së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe, Dorina Sejdini, nëna 34-vjeçare, çështja e së cilës tërhoqi vëmendjen dhe shqetësimin e shoqërisë.
Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e saj të menjëhershëm, duke i pranuar kërkesën për rihapje të gjykimit në Apel për shkak të zhvillimit të procesit në mungesë.
Tashmë e reja së bashku me foshnjën do t’i bashkohet edhe 2 fëmijëve të tjerë të mitur të saj, më i madhi 7 vjeç dhe tjetri 2 vjeç e gjysmë.
Avokati mbrojtës Bari Shyti për mediat tha se autoritetet mund ta kishin zgjidhur ndryshe çështjen.
“I vetmi problem në aspektin ligjor për mendimin është mundësia që duhet t’i jepej personit që të njoftohej dhe të ekzekutohej vullnetarisht. Ata kanë vendosur ndalimin e menjëhershëm”, tha avokati Bari Shyti.
Dorina Sejdini u arrestua pak ditë më parë pasi hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Muriqanit, teksa kthehej me familjen nga Gjermania. Ndaj saj ishte në fuqi një vendim i formës së prerë, që e dënonte me 2 muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.
34-vjeçarja u paraqit vullnetarisht në Komisariatin nr. 6, pasi u njoftua nga policia për ekzistencën e vendimit. Më pas u transferua në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë. Fillimisht foshnja mbeti jashtë institucionit, por një ditë më vonë iu dërgua nënës, pasi ajo ushtroi të drejtën për të mbajtur pranë fëmijën nën moshën 3 vjeç. Ndërkohë, dy fëmijët e tjerë të mitur mbetën në kujdesin e familjarëve.
Rasti ngjalli reagim të gjerë publik dhe institucional. Avokati i Popullit vizitoi 34-vjeçaren në burg dhe kërkoi verifikim të plotë të procedurave, ndërsa Begaj vuri në dispozicion faljen presidenciale.
Tashmë çështja penale ndaj nënës së 3 fëmijëve do të vijojë të shqyrtohet në rrugët ligjore, duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










