TIRANE - Sistemet gjyqësore në Shqipëri nuk plotësojnë kapacitetet për zbatuar ligjin “Për të drejtën e informimit”, i cili synon që qytetarët të kenë akses në çdo informacion të kërkuar ndaj institucioneve publike. 

Sipas kreut të Institutit të Studimeve Politike në Shqipëri, Afrim Krasniqi, edhe pse kanë kaluar tre muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji asgjë nuk është bërë për zbatimin e tij.

“Ne jemi drejtuar ministrisë së drejtësisë dhe presim që ministria e drejtësisë të ndërhyjë me idenë që ky ligj të gjejë një zbatim konkret për të caktuar koordinatoret përkatës të gjykatave për lidhjen për të drejtën e informimit. E njëjta problematikë vlen edhe në institucionet e tjera. Ligji detyron çdo instuticon që brenda tre muajsh të përcaktoj koordinator kombëtar një njëri përgjegjës për ti dhënë çdo qytetari përgjigje në afatin 10 ditor. Deri tani asnjë institucion se ka bërë,në dy gjykatat legjislative që ne kemi marrë, njëra nga gjykatat ka një praktikë pozitive, gjykata tjetër nuk ka fare faqe interneti kur ligji e detyron atë të ketë këto lloj të dhënash”, shpehet Krasniqi. 

Në ligjin e ri parashikohet që kërkesat e qytetarëve të marrin përgjigje brenda një afati 10 ditor. Në rast të kundërt qytetari ka të drejtë të ankohet tek Komisioneri për të Drejtat e Njeriut dhe të Dhënat Personale. 

Bazuar në ligjin e ri Komisioneri duhet të jap përgjigje qytetarit brenda 12 ditësh dhe të gjobisë institucionin përkatës që nuk informon qytetarin.

Ligji “Për të drejtën e informimit” hyri në fuqi më 18 tetor 2014 dhe parashikonte që brenda tre muaj të përcaktohej një koordinator në çdo institucion publik për informimin e qytetarëve.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)