E drejtë, e ndershme, elektorale

E drejtë, e ndershme, elektorale
Në listën e dallimeve mes dy partive kryesore spikat një dallim etik i rrafshit të së drejtës, që meriton të vihet në dukje dhe të analizohet. Fjala është për përfshirjen në listën e PD-së të kryetarëve të partive aleate, si, Mediu i PR-së, Ndoka i PDK-së, Shehi i LZHK-së, Idrizi i PDIU-së, Spahiu i PLL-së, Xhuveli i PAA-së. Nga krahu tjetër, PS nuk ka përfshirë asnjë prej kryetarëve të partive aleate në listën e saj , edhe pse pritej që minimalisht Gjinushi i PSD-së, Milo i PDS-së dhe Spartak Ngjela i PLL-së të merrnin një ofertë të tillë nga kryesocialisti Rama.

Përgjatë legjislaturës partitë e opozitës takohen në kantierin e opozitarizmit me shpesh se sa partitë qeveritare në kantierin e qeverisjes. Është e natyshme, ndodh kudo. Opozita ka barrën të sfidojë pushtetin dhe prandaj i duhet të jetë më e mbledhur dhe më e bashkuar në gjerësinë e ndërsjelltë të partive që e përbëjnë. Aq më shumë kur ketë e dikton një sistem elektoral si ky që kemi në vendin tonë, që është sistemi i koalicionit të parë.

Në këtë kontekst ka qenë e natyrshme dhe e pritshme që Partia Socialiste, si partia kryesore opozitare, të jepte e para shembullin e përfshirjes së aleatëve në listën e saj. E gjithë kjo aspak për lëmoshë, apo për altruzëm politik, por për drejtësi, për ndershmëri, për motivim, pra për një seri arsyesh që në lidhjen e tyre çimentojnë një marrëdhënie të pastër dhe për rrjedhim maksimalizojnë votat.

E vërteta është se ky diskutim shumë i rëndësishëm ka qënë hapur në gjirin e Opozitës së Bashkuar shumë kohë përpara afrimit të zgjedhjeve. Pasi dështuan në përpjekjen e tyre të njohur për të futur proporcinalin kombëtar në Kodin e ri Zgjedhor, aleatët e Ramës filluan të artikulojnë gjithnjë e me më ngulm në tryezat e tij nevojën e një marrëveshje paraprake për listën.

Nuk mund të harrohet e folura disi e drunjtë e këtyre aleatëve në këto tryeza dhe Edi Rama në anën tjetër, që nuk kuptonte përnjimend apo bëntë sikur nuk kuptonte, duke e torturuar kësisoj sedrën dhe ndrojtjen njerëzore të aleatëve të tij për të kërkuar hapur përfshirjen në listat e PS-së. Gjersa një ditë, në një prej takimeve, Nard Ndoka, kryetari i PDK-së, foli pa doreza. Të tjerët, me përjashtim të Ngjelës që ishte idiferent për temën, e mbështetën.

Në leximin banal të mosdashjes dhe shpirvogëlsisë kjo kërkesë mund të merrej jangëllesh, sikur kërkuesit kishin hallin të siguronin secili një karrige deputeti për vete. Në të vërtetë diskutimi ishte në thelb shumë politik dhe ngërthente një shumësi vlerash dhe interesash komune . PSD e Skënder Gjinushit , përshembull kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2009 rreth 28 mijë vota të numëruara në shkallë vendi.

Një numër i majftueshëm për të marrë dy deputetë. Të gjitha këto vota kishin shkuar në thesin e PS-së, ndërsa vetë Gjinushi kishte mbetur jashtë Kuvendit. Tani çështja shtrohej kështu: në vitin 2009 sistemi proporcinal rajonal ishte provuar për herë të parë. Të gjitha partitë e vogla kishin synuar maksimumin e votave të mundshme me shpresën se do të përfaqësoheshin në Kuvend.

Në provën e e zbatimit praktik, doli se me këtë sistem votat mund t’i marrësh, por përfaqësimin pothuajse kurrë. Me ketë rast sistemi i tregoi defektet dhe deformimet e veta. Thënë ndryshe u zhvirgjërua. Në vitin 2013 të gjithë mund ta shohin historinë nga fundi si në një film të cilin e ke parë njëherë. Si mund ti motivojë sërish mbështetësit e saj potencialë një parti e vogël kur votat e marra katër vjet më parë kanë shkuar dëm apo në llogari te tjetërkujt?

Dy janë menyrat: ose korrigjohet sistemi, ose korrigjohet padrejtësia brënda sistemit ekzistues nga partia e madhe duke përfshirë në listën e saj aleatë në bazë të një kriteri të caktuar. Duke parë padrejtësinë të korigjuar dhe duke qenë të sigurt paraprakisht se do të jenë të përfaqësuar me kryetarin e tyre, militantët dhe mbështetësit kanë një motiv konkret për t’u hedhur në betejë.

Partia jo vetëm nuk shthuret por përkundrazi , mblidhet e mobilizohet më shumë. Kjo është logjika e shëndoshë, që bëhet motivuese edhe për partitë apo individët që votohen për herë të parë dhe nuk dihet çfarë mbështetje elektorale kanë. Me numrat e konsiderueshëm të herës së parë ato hipotekojnë sigurinë e përfaqësimit në zgjedhjet e reja.

Duke mos qenë politika një shkencë ekzakte, kjo logjikë ka sigurisht negacionin e saj, si përshembull frikën se mos këta pak deputetë të sigurtë të partive aleate nuk do të jenë besnikë dhe luajalë me kryetarin e partisë së madhe, e tjerë. Me përshtypjen se po mendohej mes pluseve dhe minuseve, Edi Rama përshtati qysh në krye një qëndrim evaziv, që nuk e ndryshoi asnjëherë, duke premtuar për këtë çështje marrëveshje dypalëshe me secilin aleat.

Koha tregoi se kjo ishte një manovër për t’i iluduar e përçarë dhe për të fituar kohë derisa të vinte ora e refuzimi. I fyeu aleatët e tij të privacioneve, protestave, shesheve, tribunave dhe mediave duke kandiduar , madje me lutje, njerëz që nuk kishin bërë asnjë orë opozitë. Pastaj i fyu për herë të dytë kur u vuri përpara marrëveshjen e vendeve të punës nga 500 vota e lart, që kishte edhe difektin se nuk fliste fare për përfaqësimin e aleatëve në variantin e mbetjes në opozitë.

I fyu për herë të tretë kur i njoftoi apo u la të kuptonin se po priste Ilir Metën, domethënë fati i tyre në lidhje me aleancat ishte në vartësi të një komponenti të qeverisë, të cilin këta aleatë e kishin patur përballë përgjatë gjithë legjislaturës. Për aktin e refuzimit përfundimtar të aelatëve opozitarë në listën e PS-së unë nuk kam detaje, sepse ndërkohë isha ndarë me zotin Rama për arsyet që i kam bërë publike.

Sot, ndërsa e shohin veten të pazhdëmtuar dhe të pavlerësuar dhe ndërsa e ndjejnë dyfish goditjen e padrejtësisë përballë kontrastit që ofron lista përballë, aleatët e PS-së kujtojnë ndoshta se si njëri prej tyre, Nard Ndoka, iku herët, pasi testoi në takime dypalëshe me shefin e opozitës vendosmërinë e këtij të fundit për të bërë një listë njëngjyrëshe, për të mos thënë një listë sekti.

Kur jam pyetur njëherë disa muaj më parë se çdo të mendonin aleatët e Ramës nëse Ndoka do të përfshihej me listën e PD-së, ndërsa ata nuk do të përfshiheshin në listën e PS-së, unë jam përgjigjur se ky nuk do të jetë rasti për të krahasuar Ndokën me Gjinushin, Milon, Ngjelën apo ndonjë tjetër, por për të krahasuar Berishën me Ramën në rrafshin e konceptimeve dhe gjykimeve politike të rrafshit etik dhe elektoral.

Me përvojën e tij politike, që në këtë rast bashkohej edhe me një ndjenjë drejtësie, Berisha i bëri për vete dhe i zhvilloi pa asnjë hezitim argumentet në qarkullim për përfshirjen në listë të aleatëvë që marrin vota . Edhe sikur të mos prodhojë asgjë, akti është i drejtë dhe i ndershëm në vetvete. Në bindjen time është edhe elektoral.

Me këtë akt koalicioni i qëndrës së djathtë prodhon pesë- gjashtë fushata elektorale entuziaste nga partitë përbërëse dhe mobilizon shumë më tepër njerëz zemërmbushur në fushatë. Ndërkaq, epërsinë e tij kryeministrit e dëshmoi dhe në skontimin me një arsyetim të epërm, që nuk ka pse zbret në xhunglën hollësirave, të çështjes së besnikërisë. Garantja e besnikërisë është fitorja.

Kush fiton jo vetëm ruan radhët, por kështu siç janë punët në Shqipëri, merr deputetë edhe nga pala tjetër. Ndërkohë që opozita është parasëgjithash kategori cilësore. Ke gjashtëdhjetë e gjashtë apo pesëdhjetë e gjashtë deputetë, kjo nuk ndryshon gjë në thelb. Ja se si edhe në këtë pikë lista e Ramës dekonsipron një mendësi humbëse.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Liverpool dhe Real Madrid ndeshen sot në Champions League, Slot: Janë ekip për t’u marrë shembull! Ancelotti: Përballen dy klube historike

Liverpool dhe Real Madrid ndeshen sot në Champions League, Slot: Janë ekip për t’u marrë shembull! Ancelotti: Përballen dy klube historike