KORCË - 9 vite torturash deri në vdekje, nga viti 1945 deri në '54-ën. Në këto vuajtje çnjerëzore të komunizmit kanë kaluar dhjetëra familje aristokratësh korçarë, të cilët janë torturuar me metoda nga më të dhimbshmet në një qeli hetuesie, gjurmët e së cilës janë zbuluar fare rastësisht gjatë restaurimit të ndërtesës që mbante fshehur për vite me radhë kalvarin e vuajtjeve të një populli që u shfaq kundër regjimit. Godina që dikur njihej si Komiteti i Partisë, ndodhur në qendër të qytetit, përballë Katedrales, sot i përket familjes Koçibelli. Punimet për restaurimin e saj, nxorën në pah se bodrumet kanë shërbyer gjatë kohës së diktaturës si qeli torturash dhe hetuesie.
Në muret e ngushta kanë mbetur të paprekura dëshmi të torturave ndaj të dënuarve: mbishkrime, data, emra apo thënie të të dënuarve politikë: "Kush gabon pëson, kush shpreson nuk gabon", është një thënie e shkruar në mur.
Ylber Merdani, është një dëshmi e gjallë e këtyre torturave. Në një intervistë ekskluzive për Report Tv, ai thotë se në këto biruca kanë humbur jetën nga torturat 50 persona. Kryetari i Shoqtarës së të Burgosurve anti-komunistë, thotë se në katin e sipërm ishin zyrat e partisë, ndërsa poshtë tyre ishin birucat e hetuesisë, në të cilat është tortuaruar duke i paralizuar gishtërinjtë e duarve, edhe babai i tij Fuat Merdani.
"Fillimisht erdhën nga mali që pushtuan Korçën dhe qenë e parë që bënë krijuan këto qendra hetuesie dhe burgje. Shtëpia e Rrokos e njohin korçarët, sipër u bënë zyra kurse poshtë biruca të hetuesisë, njësoj siç kishte tek ish-bashkia në Korçë, ose në shumë vende të tjera ku njerëzit torturoheshin me tortura që janë kalonin edhe mesjetarëve. Këtu janë torturuar shumë njerëz të ndershëm korçarë, i vetmi faj i tyre ishte që nuk u pajtuan me komunistët. Ata nuk e shpreheshin, por ishin njerëz, filantropë, bënin mirësira dhe kishin influencë tek populli, kjo nuk i pëlqente komunistëve", tregon 80-vjeçari.
Më çnjerëzisht është trajtuar vjehrri i tij në këto biruca.
"Vjehrrin tim e akuzonin sikur ishte pjesëtar i grupit të deputetëve, në 47-ën, ai njeri që shikonte punën e tij kishte fituar para në Amerikë në hekurudhat që bëheshin në atë kohë, erdhi investoi këtu me mendime perëndimore, e dënuan, e sollën në këtë godinë. E futën në një si punë oazi, si punë pishine, e lidhnin në karrige, e ulnin aty, karrige e betonuar poshtë, dhe me ujë deri në grykë, dhe nuk e linin as të ulej as të ngrihej, në temperatura të ulëta. Dhe me roje e linin që mos të manovronte", thotë Merdani.
Ai tregon tmerret që kanë kaluar qytetarë të ndryshëm korçarë.
"Xhuvin e Kajnos e torturonin sa i digjnin edhe këmbët me prush, derisa ju gangrenizuan dhe e mori zoti. E përhapën lajmin që gjeti një copë xham dhe preu damarët. Por kur doli babai nga burgu më tregoi të vërtetën.
Këto ganxha i varnin, i vinin kokë poshtë, poshtë i ndiznin kashtë, që të bukoseshin nga tymi.
I hapnin plagë me thika dhe ja mbushnin me kripë, kënaqeshin kur i shkaktonin dhimbje. Kishte të shkulura thonjsh, të varur me kokë poshtë dhe të rrinin ditë natë".
"Kanë humbur jetën nga torturat, nuk mund ta quajmë burg këtë", thotë Merdani, teksa kujton se babai i tij dhe qytetarë të tjerë që i kanë kaluar këto vuajtje çnjerëzore, as nuk kthejnë dot kokën ndaj kësaj godinë famëkeqe. "Korçarët kur shkonin këtu brezi i baballarëve tanë, këtu lemeriseshin, nuk e kthenin dot kokën", thotë ai.
Merdani na tregon se të torturuar në këto qeli kanë qenë edhe grekët, apo shqiptarë të kthyer nga Greqia, si Koço Kota.
Me duart që i dridhen nga mosha, por edhe kujtimet e rënda që ai sjell në mend, Ylber Merdani përpiqet të kujtojë dhe emra të hetuesve të atëhershëm. "Turinjtë njësoj i kanë pasur të gjithë, s'ka rëndësi emri, por do thoja Rafail Kërri dhe Petrune Delli".
I lënduar, por jo me urrejtje në shpirt. Ylber Merdani thotë se rinia nuk do t'i kthehet më kurrë, por ndëshkimi për ata që vranë të pafajshëm, do të vijë vetëm përmes drejtësisë hyjnore.
"Po a më kthehet dot mua rinia? Vetëm unë kam bërë 24 vjet burgim dhe internim. Unë jam njeri i shpirtit, që bëj siç më thotë zemra, urrejtjen nuk e njoh, hakmarrjen ja kam lënë zotit që e kënaqësi që vë drejtësi në vend, të jeni të sigurt, ai do të hakmerret për të gjitha vuajtjet tona".
Pronari i godinës, Aurel Koçibelli, tregon se edhe pa restaurimit që do i bëhet godinës, pjesa që tregon historinë do të ruhet e paprekur. Kjo ndërtesë fillimisht ka qenë pronë e familjes Qirjako. Pas çlirimit të vendit nga regjimi i asaj kohe, katet e poshtme të saj i ktheu në birucë hetuesie, ndërsa lart qëndronin zyrat shtetërore. Brenda ndërtesës ende qëndrojnë 4 qeli jo me tepër se 1 metër katror.
Gjatë periudhës së diktaturës në Korçë, janë dënuar për motive 900 persona, 120 prej të cilëve janë pushkatuar, mes të cilëve edhe gra, dhe qindra familje janë internuar.