E hëna e provës

E hëna e provës
Nesër nuk është një ditë e zakonshme. Për herë të parë pritet të përballen Sali Berisha me Ilir Metën. Të ndarë vetëm pak ditë më parë, në mirëkuptim sipas deklaratave të të dyve brenda 24 orëve, me gjuhën e ashpërsuar pas vetëm 36 orësh. Gjuhë e cila ka nisur të gërvishtë ish-aleatët, që nga ngjalat deri tek diversantët.

Nëse që nga e enjtja deri nesër në fillim të seancës plenare, nuk ka ndodhur ndonjë çudi, e djathta ka vendosur që me ndihmën e disa deputetëve të së majtës, të ligjërojë në Kuvend shkarkimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me mandat gjashtë vjeçar. Vendim I marrë, në komisionin e ligjeve, dhe që sipas ekspertëve, nuk bazohet në asnjë ligj, marrëveshje, apo konsesus.

E nesërmja realisht do të jetë beteja e parë mes opozitës së re dhe Partisë Demokratike. Ndërsa për vetë Ilir Metën do të jetë përballja e dytë e këtij lloji pas asaj të 2008. Pyetja shtrohet e thjeshtë: Nëse Berisha vë dorë nesër mbi institucionin e pavarur, jo politik, me anëtarë të betuar që do të zbatojnë ligjin, pra mbi KQZ, vetëm duke pasur fuqinë e kartonëve, pra shumicës, pse nuk mund të ndodhë që po me fuqi kartoni, me mazhorancë të përmbysë çdo rezultat të datës 23 qershor?

Duke përdorur të gjitha hallkat, nga poshtë-lartë, deri sa të arrijë tek “hallka” ku ka shumicën. Pra me pak fjalë, të anulojë çdo vendim, ligjor apo popullor, I cili nuk përputhet me pritshmëritë e tij. Çfarë pritet nga Berisha është e kuptueshme. Do të mbulohet politikisht, ajo që nuk mund të zhbëhet ligjërisht. Edhe nesër. Edhe më vonë. Nëse fiton nesër, 23 qershori për Berishën do të jetë vetëm një provë radhe.

Gjithë barra mbetet tek opozita. Përveçse e nesërmja mund të lidhë shumë me tepër PS me LSI në betejën e parë të përbashkët (ndoshta një gabim strategjik I Berishës), do të tregojë edhe sa të vendosur, sa të aftë dhe sa të fortë janë ata për t’u përballur me Berishën dhe shtetin e tij.

Rama deklaroi pas marrëveshjes së koalicionit, se me Metën I kemi votat më të mbrojtura. Por nesër kryesocialisti a do t’ia lerë gjithë peshën Metës?! Si do të sillen deputetët e PS-së me ish-kundërshtarin e tyre? Do të kenë parasysh se po mbrojnë një anëtar të KQZ propozuar nga LSI, ish-qeverisëse me Berishën deri dy javë më parë, apo do të jenë fortë në mbrojtje të një institucioni të pavarur dhe deri ku janë të gatshëm ta mbrojnë.

E nesërmja është provë edhe për ish-deputetët socialistë ende të palidhur me një forcë tjetër. Në fakt vota e tyre është vendimtare. A do të jetë ajo një votë inati, votë ligji, apo votë interesi? Përfundimisht do t’i këpusin fijet me PS-në, pasi urat nuk duket se ekzistojnë më...

Sigurisht që një provë e madhe është edhe për ndërkombëtarët. Ambasada amerikane ishte më e prerë, e pas saj edhe të tjerët. Megjithëse ata nuk kanë votë në Parlament, është e padiskutueshme se fjala e tyre peshon shumë. Nga zhvillimet e nesërme mund të mësojmë se deri ku kanë qenë të aftë të shkojnë.

Sytë nesër do të jenë në Parlament. Berisha do të përpiqet të përçojë tek të tijtë, forcë, besim, moskokëçarje. Opozita nga ana tjetër, bashkim, vendosmëri, aftësi. Tensioni mund të çojë edhe në degjenerim të situatës, që në fakt do të ishte prova më e keqe për të ardhmen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe politikën konsesuale.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

A ka Shqipëria sot 28.000 dëshmorë? Sonte në 21:00 në ‘Esencë’ në Report Tv

A ka Shqipëria sot 28.000 dëshmorë? Sonte në 21:00 në ‘Esencë’ në Report Tv