TIRANË- Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha , që u nda nga jeta mesditën e 26 shkurtit, u përcoll këtë të enjte në varrezat e Sharrës pranë vendit të bashkëshortit të saj. Përmes një ceremonie private të organizuar nga familja Hoxha, u largua nga kjo jetë e përcjellë në mënyrë modeste.

Një degë e familjes së saj, të birit Sokolit me bashkëshorten Liljanën, për shkak të përçarjes dhe konflikteve familjare mungonte, e jo vetëm përgjatë homazheve, por edhe në përcjelljen për në banesën e fundit.

Ndërkohë ishin të pranishëm djali i saj Iliri me bashkëshorten Teuta, vajza Pranvera dhe fëmijët e tyre. Në këto homazhe, mungoi pjesëmarrja e personaliteteve të njohura publike, ndërkohë që e veja e diktatorit Enver Hoxha u përcoll dhe u nderua nga një grup shoqatash të nostalgjikëve të veprës së Enver Hoxhës dhe diktaturës komuniste. Në mungesë edhe të shumë pasardhësve të anëtarëve të byrosë politike të diktaturës, Nexhmije Hoxha u përcoll në varrezat e Sharrës si besnike e bindjeve të saj dhe rolit që pati në shoqërinë komuniste, e cilësuar si “shoqja Nexhmije Hoxha”

Nexhmije Hoxha, në 30 vjet pas rënies së komunizmit nuk luajti asnjë rol në jetën politike të vendit. Jeta e saj vazhdoi mes spektakleve të nostalgjikëve të regjimit komunist, mbështetësve të tyre, një burgu 5-vjeçar që bëri për korrupsion në vitin 1994, dhe largimit nga Vila në  Bllokun e udhëheqësve të diktaturës, ndërsa e dha frymën fundit në një banesë të Laprakës, që ka qenë kazermë ushtrie. Nexhmije Hoxha nuk u shpreh asnjëherë e penduar për krimet e kryera gjatë diktaturës nga Enver Hoxha.

Nexhmije Xhuglini Hoxha lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, ndërsa prindërit e saj ishin me origjinë nga Dibra.

Familja e saj në  vitin 1928, u shpërngul në Tiranë. Aty, ajo pasi kreu Institutin Femëror Pedagogjik, u përfshi edhe në organizatën e  Rinisë Fashiste, por gjatë viteve ‘41-‘44 ndryshon bindjet e saj dhe u hodh ne ilegalitet së bashku me vëllanë e saj, ku gjatë veprimtarisë së saj u njoh dhe bashkëpunoi me Enver Hoxhën, njohje që në vitin 1945, pas çlirimit të vendit, u kurorëzua me martesë.

Ajo ishte një nga bashkëpunëtoret më besnike të bashkëshortit të saj, dhe shpeshherë edhe mbështetëse e luftës së klasave apo ndëshkimeve e dënimeve të kolegëve të saj.

Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror.

Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enver Hoxhës që për shumë kohë ishte drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të Partisë së punës së Shqipërisë dhe drejtuese e censore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit qendrore Partisë  së Punës, pavarësisht vlerësimeve dhe titujve që mori gjatë sistemit diktatorial u përcoll në banesën e fundit, nga një grup I vogël njerëzish që kishin vendosur ta respektonin deri në fund të jetës së saj.