TIRANË - Ndërroi jetë në moshën 99-vjeçare, Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e ish-diktatorit të komunizmit, Enver Hoxha. Nexhmije Hoxha u shua në banesën e saj në zonën e Laprakës në Tiranë, pranë familjarëve të saj, pranë fëmijëve, nipërve e mbesave. Me Enver Hoxhën u martua në 1 janar të vitit 1945. Ajo la pas tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë.

Djali i saj, Ilir Hoxha, bëri të ditur se Nexhmije Hoxha do të prehet në varrezat e Sharrës, dhe se përcjellja e fundit do të bëhet në orën 12:00. Ndërkohë, homazhet do të mbahen në shtëpinë e funeral Alba 2000 pranë Medresesë nga ora 09:00 e mëngjesit. "Në ditët pas varrimit, presim për ngushëllime në shtëpinë tonë, në Laprakë (pranë sheshit Shqiponja). Jeni të mirëpritur", shkruan djali i saj. 

Në një koment për nënën e tij, djali i ish-diktatorit Hoxha, thotë se "ajo gjithë jetën e saj ia kushtoi lirisë së Atdheut dhe ndërtimit të Shqipërisë së re, përparimit dhe emancipimit të shoqërisë shqiptare, ndaj dhe ne do të ndjehemi përherë krenarë për emrin dhe veprën e saj. Kujtimi i saj gjithmonë do të mbetet i paharruar për familjen tonë dhe të gjithë miqtë dhe dashamirësit e saj, në Shqipëri dhe kudo në botë".

Kush ishte Nexhmije Hoxha

Nexhmije Hoxha lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, ndërsa prindërit e saj ishin me origjinë nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul në Tiranë. Shkollën e mesme ajo e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë.

Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.

Nexhmije Hoxha ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror.

Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së.

Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike. Ka botuar edhe disa libra. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”.

Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:47
Vdekja e Nexhmijes Hoxhës/ I biri: Ia kushtoi jetën lirisë së atdheut! Krenarë për emrin dhe veprat e saj

Ilir Hoxha, djali i ish-diktatorit Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxhës ka përcjellë një mesazh pak pas ndarjes nga jeta të nënës së tij. Teksa ka konfirmuar lajmin për vdekjen e saj, ai njofton se varrimi do të bëhet ditën e nesërme në orën 12:00 në varrezat e Sharrës.

“Të nderuar miq e dashamires të familjes të Enver Hoxhes. Me hidhërim të thellë ju bej me dije, se sot më datë 26 shkurt 2020, në moshen 99-vjeçare u nda nga jeta nëna jonë, Nexhmije Hoxha.

Ajo gjithë jetën e saj ia kushtoi lirisë së Atdheut dhe ndertimit të Shqiperisë së re, perparimit dhe emancipimit të shoqërisë shqiptare, ndaj dhe ne do të ndjehemi perhere krenarë për emrin dhe veprën e saj. Kujtimi i saj gjithmonë do të mbetet i paharruar për familjen tonë dhe të gjithë miqtë dhe dashamirësit e saj, në Shqiperi dhe kudo në botë.

Me respekt Ilir Hoxha
Tiranë 26 shkurt 2020

Shënim: Homazhet dhe përcjellja për në varrezat e Sharrës do të behet nga Funeral Home Alba 2000 (prane Medresesë) nga ora 9 deri 12 të datës 27 shkurt Në ditët pas varrimit, presim për ngushëllime në shtëpine tonë, në Laprakë (pranë sheshit Shqiponja). Jeni të mirëpritur. Faleminderit”, shkruan Ilir Hoxha.