TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka zgjatur me 3 muaj afatet e hetimit për dosjen e Tunelit të Llogarasë. Burime për Report Tv bëjnë me dije prokurori i posaçëm Dritan Prençi i ka komunikuar avokatit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku zgjatjen e hetimeve. Ish-numri dy i qeverisë është marrë e pandehur për këtë dosje për shkelje të barazisë me tenderin me fond limit 190 mln euro, ndërsa është nën hetim për 7 Lotet e Unazës së Madhe dhe e dyshuar për 3 procedura të tjera tenderuese.
Zgjatja e hetimeve i është komunikuar edhe dy ish-vartësve të saj, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit. Gjyli ndodhet në arrest shtëpie i akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë dhe gjatë kohës që është zhvilluar ky prokurim, ka qenë drejtor i Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar. E njëjtë masë dhe akuzë rëndon edhe ndaj Erald Elezit, i cili ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur është zhvilluar tenderi i Llogarasë.
Ndërkohë, për Belinda Ballukun është në fuqi masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Me vendim të GJKKO-së, në nëntor 2025, ajo u pezullua nga detyra, vendim që u la në fuqi nga Kushtetuesja. Balluku u shkarkua përfundimisht nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, me firmë të kryeministrit Rama, pak ditë para se të futej në fuqi vendimi i Kushtetueses.
Hetimet për shkeljet me tenderin e tunelit të Llogarsë nisën në vitin 2025 dhe gjithçka u zbulua nga komunikimet e Ballukut me vartësin, Evis Berberi, i cili aktualisht është në burg për një tjetër çështje, ndërsa në kohën kur janë zhvilluar këto dy tenderë Berberi ishte në krye të ARRSH-së.
SPAK thotë se Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues, dy kompanitë turke Intecar dhe Asl.
Sipas SPAK, Gjyli, Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, në bashkëpunim me Ballukun, paracaktuan fituesin e tenderit duke ua dhënë turqve, të cilët e fituan për 170 mln euro pa TVSH. Në vitin 2021, tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro nga kompania Gjoka dhe u rihap pak muaj më pas dhe ju dha bashkimit të kompanive turke edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim....
Komente











